Arbëri

Ademi akuzon LDK-në për inskenim të rastit të dhunimit të të miturës

Kandidati për kryetar të Komunës së Vitisë nga Lëvizja Vetëvendosje, Arsim Ademi ka akuzuar LDK-në për inskenimin e dhunimit të një të miture në këtë komunë nga një zyrtar i LVV-së.

Ai ka thënë se kandidati i LDK-së në vazhdimësi ka përdorur një truk të tillë, duke shtuar se edhe në zgjedhjet e 2017-ës ka vepruar njëjtë për kandidatin e tyre nga LVV-ja.

“Ai njihet edhe për presionin që ju bënë qytetarëve. Edhe nëse ndonjë zyrtar që ka qenë në LDK e tash shihet me ndonjë parti tjetër, ushtrojnë presion ndaj tyre. Edhe ky rasti i fundit është një rast shumë i ndjeshëm. Ne e kemi ditur që do të ketë inskenim por nuk kemi besuar që do të jetë kaq i rëndë duke u përfshirë edhe një e mitur”, ka thënë ai.

Sipas tij, kanë qarkulluar disa biseda që dëshmojnë që gjithë rasti ka qenë i inskenuar.

“Materialet që i kemi parë ne janë shumë te besueshme sepse kemi parë edhe fotografitë, orën. Ato kanë dalë në rrjetet sociale. Në bazë të bisedave duket të jetë shumë reale. Nuk janë të çuditshme dhe nuk janë të pabesueshme. Prej momentit që ka dalë ky material ne e kemi ditë që ka qenë inskenim. Policia i ka kërkuar falje personit të cilin e ka arrestuar. Ai është liruar në më pak se 24 orë dhe është vërtetuar që gjithë kjo ka qenë inskenim. (Sokol) Haliti nuk përfshihet vetë në këtë, por ka njerëz dhe portale që bëjnë humor edhe me profesionin tim. Unë jam doktorant i veterinarisë por ata nuk e kanë nivelin ta kuptojnë”, ka thënë ai.

Sipas tij, institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa ndaj rasteve të këtilla.

Ai ka kërkuar hetim për rastin.

Në Viti është arrestuar një aktivist i VV-së më dyshimin për dhunim të një të miture. VV-ja ka akuzuar LDK-në për inskenim të rastit. Sipas Ademit, personi i arrestuar është liruar pas 24 orëve dhe atij i është kërkuar falje.