“Gazetar dhe shkrimtar me profesion, guximtar dhe patriot në drejtim, aktivist dhe politikan në veprim, disident dhe i pathyeshëm në metodë, i ditur në mendje dhe njerëzor në zemër, ky ishte Adem Demaçi”, ka thënë kryeministri Albin Kurti në Akademinë Përkujtimore, të mërkurën në pesëvjetorin e vdekjes së intelektualit e veprimtarit të shquar. E bija e Demaçit, Abetarja, ka thënë se të gjithë ata që e vlerësojnë si “udhërrëfyes se si duhet të fitohet liria dhe, po ashtu, të gjithë ata që i vlerësojnë njerëzit që sakrifikuan veten për të mbështetur idenë e tyre, do të jenë në gjendje ta shohin dritën në fund të tunelit”
Figura e Adem Demaçit është sinonim i rezistencës së shqiptarëve, luftës së tyre për liri e për bashkim kombëtar dhe i tillë është kujtuar në pesëvjetorin e vdekjes së tij në Akademinë Përkujtimore, të mërkurën pasdite. Gjatë gjithë ditës, Demaçi në pesëvjetorin e vdekjes është nderuar me homazhe e shpalosje kujtimesh për të.
Në Akademinë e organizuar nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës janë bërë bashkë intelektualë, ish të burgosur politikë, politikanë, përfaqësues diplomatikë e shumë të tjerë. Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë ka qenë plot. Me duartrokitje të shumta në shenjë mirënjohjeje ndaj jetës dhe veprës së Demaçit u prit familja e tij.
Kryeministri Kurti e ka krahasuar Demaçin me fituesin e çmimit “Nobel” për paqe, Nelson Mandela, si dhe me shkrimtarin e intelektualin e shquar izraelit Amos Oz. Në mënyrë kronologjike ka kujtuar jetën dhe veprën e Demaçit. Ka thënë se ata që duan të dinë më shumë për të duhet të drejtohen te vepra e tij “Dashuria kuantike e filanit”.
“Sa herë që më vjen rasti të shkruaj për Adem Demaçin, bacën Adem, përballem me vështirësinë e të orientuarit në botën aq të madhe që ai ka ndërtuar me vepra dhe që ka lënë pas me trashëgiminë e tij. Për ata që nuk e kanë pasur fatin ta njohin nga afër, besoj që porta e duhur për t’u futur në botën e Adem Demaçit është duke e lexuar romanin e tij autobiografik ‘Dashuria kuantike e filanit’ ku ai rrëfen jetën e tij”, ka thënë kryeministri Kurti.
Ka kujtuar angazhimin e tij në Partinë Parlamentare të Kosovës, si dhe përkrahjen që u kishte dhënë studentëve në protestat e vitit 1997, pjesë e të cilave ka qenë edhe vetë kryeministri.
“Më 1996 ai u zgjodh kryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës, por figura e tij mbeti gjithmonë mbi atë. Më 1997 i mbështeti protestat e organizuara nga ne studentët nëpërmjet Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, e disa muaj më pas, më 13 gusht 1998, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e emëroi Adem Demaçin përfaqësues politik të UÇK-së”, ka thënë Kurti. Ka kujtuar edhe kohën kur i kishte rënë të punonte edhe nga afër me Demaçin. Bëhet fjalë për periudhën kur Demaçi përfaqësoi UÇK-në politikisht përballë propagandës së egër të Serbisë.
“Gjatë kësaj kohe për më shumë se gjashtë muaj unë kisha fatin të isha sekretar i tij në Zyrën e UÇK-së, në lagjen ‘Tophane’ të Prishtinës e aty isha dëshmitar dhe nxënës i atij njeriu që gjatë jetës pafund herë e ka tallur vdekjen dhe ka qeshur me rrezikun, dhe që me gjithë qenien e tij është angazhuar për lirinë e Kosovës”, ka thënë kryeministri Kurti.
Si politikan i cili përherë ka kujtuar punën dhe veprën e Demaçit, kryeministri ka thënë se ai ishte dera ku shoqëria e Kosovës drejtohej sa herë që shteti ishte në udhëkryq. E, edhe tash, sipas tij, shqiptarët duhet ta pyesin veten e njëri-tjetrin se çka do të kishte bërë Adem Demaçi.
“Kurse për të marrë përgjigje duhet t’i kthehemi e rikthehemi veprës së tij të shkruar dhe veprës së tij të jetuar, e cila ende nuk është studiuar e kultivuar”, ka thënë Kurti. Për të Demaçi ishte udhërrëfyesi i shqiptarëve në tri Jugosllavitë.
“Adem Demaçi ishte busulla e lirisë për shqiptarët në Jugosllavi sepse ai i kishte dëshmuar me trup dhe me mendje të tri Jugosllavitë. Kishte lindur në 1936 në Jugosllavinë e parë apo monarkiste, kishte kaluar 28 vjet burgim në Jugosllavinë e dytë apo të Titos dhe kishte luftuar aktivisht dhe fuqishëm Jugosllavinë e tretë apo atë të Millosheviqit”, ka thënë ai.
Me jo pak mbiemra është munduar ta përthekojë figurën dhe veprimtarinë e begatshme të Demaçit. Ka përfunduar me një lavdi kushtuar “jetës aq unike dhe veprës aq autentike” të këtij intelektuali.
“Gazetar dhe shkrimtar me profesion, guximtar dhe patriot në drejtim, aktivist dhe politikan në veprim, disident dhe i pathyeshëm në metodë, i ditur në mendje dhe njerëzor në zemër, ky ishte Adem Demaçi përballë shkrimit, përballë burgjeve, përballë lirisë dhe përballë historisë”, ka thënë kryeministri Kurti.
Kryetari i Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë të Kosovës, Shefki Sadiku, ka folur më në tërësi për periudhën e ish të burgosurve politikë. Ka thënë se në shoqërinë e Kosovës tonë ka ende njerëz të gjallë të cilëve u kishte rënë të vuanin burg me vetë Demaçin.
“Në mesin tonë kemi ish të burgosur politikë të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të Adem Demaçit që në vitet ‘60. Kemi të burgosur politikë të gjallë sot të cilën kanë kaluar njëqindvjetshin siç është Rexhep Balidemaj, 95 vjet i ka ba Rexhep Bunjaku dhe të dy kanë pasur kontakte me Adem Demaçin, por edhe me historinë e burgosjeve të shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore, kur Jugosllavia titiste në krye me politikën serbe dhe Ranoviqin e pushtuan përfundimisht Kosovën”, ka thënë ai.
Duke ecur nëpër histori e duke përmendur dënimet me vdekje të Halim Spahiajt, Marie Shllakut e Gjon Serreçit, Sadiku ka folur edhe për momentet e para kur Demaçi u përball me antishqiptarizmin e serbëve.
“Adem Demaçi ishte një prej nxënësve të viteve ’40, por me kalimin e kohës në vitet ’50 mbaroi shkollimin e mesëm dhe shkoi të studiojë në Beograd dhe atje të kuptojë djallëzinë politike, antishqiptare se si përgatiteshin në kuzhinat e Partisë Komuniste jugosllave dhe të antishqiptarit më të madh që njeh historia, Titos”, ka thënë ai.
Ka folur edhe për miqësinë, jo fort të njohur, që kishte pasur Demaçi me Metush Krasniqin e Mark Gashin, ka zbuluar diçka nga njohja e tyre.
“Adem Demaçi ishte nxitësi, stimuluesi, faktikisht edhe mësuesi i gjeneratave të ardhshme të cilët do të bashkëpunonin me kalimin e kohës. Por, paralelisht me burgosjen e tij, si individ në nëntorin e 58-s në Gjilan u burgos Metush Krasniqi – me të cilin nuk ishte njohur deri në atë kohë Adem Demaçi – me pesë mësues të tjerë dhe një administrator që punonte në Preshevë, Mark Gashi. Në mes të tjerash u njohën dhe u bashkuan në Burgun e Nishit”, ka thënë ai duke shtuar se “ata kishin një ide: bashkimin e trojeve shqiptare dhe luftën për çlirim të atdheut dhe kombit shqiptar”.
Duke theksuar se populli shqiptar nuk ka arritur ende ta realizojë ëndrrën e Adem Demaçit për bashkim kombëtar, Sadiku ka kujtuar postulatin e tij.
“Duhet të respektojmë vullnetin e Adem Demaçit. Në këtë vlerësim është postulati i tij, është porosia e tij, është mesazhi i tij që duhet t’i vlerësojmë të gjitha vlerat e politikës nacionale, duke përfshirë edhe ata të cilët i bënë keq kombit sepse sikur të mos ishin ata, nuk do të ishim këtu, nuk do ta kishim Adem Demaçin”, ka thënë ai.
Falënderuese për vlerësimin bërë babait të saj ka qenë e bija e tij, Abetare Demaçi.
“Më lejoni të them se të gjithë ata që e vlerësojnë Adem Demaçin si udhërrëfyes se si duhet të fitohet liria dhe po ashtu të gjithë ata që i vlerësojnë njerëzit që sakrifikuan veten për të mbështetur idenë e tyre, do të jenë në gjendje ta shohin dritën në fund të tunelit. Sepse ata po e vlerësojnë sakrificën e popullit të vet”, ka thënë ajo.
Një ide e tillë, sipas saj, duhet të përcillet edhe te gjeneratat e reja. Ajo ka thënë se për të ecur drejt të ardhmes është e domosdoshme njohja e së kaluarës.
“Kjo duhet patjetër përcjellë te gjeneratat e reja, në mënyrë që ta njohin historinë si bazë për të shkuar përpara. Me punë të vazhdueshme dhe të bashkuar ne mund t’i përballojmë të gjitha sfidat dhe të arrijmë cakun tonë, që është sovraniteti i plotë dhe zhvillimi i vendit”, ka thënë ajo.
Me prejardhje nga fshati Lupç i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.
Pak pas botimit të romanit të tij të parë “Gjarpijtë e gjakut”, Demaçi në nëntor të vitit 1958 do të arrestohej. Pas një procesi të shpejtë gjyqësor, Gjyqi Suprem i Serbisë ia vërtetoi dënimin në tre vjet, të cilat i vuajti në kazamatin e Mitrovicës së Sremit në Vojvodinë. Ai do të burgosej sërish në vitet 1964-1974 dhe 1975-1990, sa në vitet ‘80 konsiderohej si më i shquari disident politik në Jugosllavi. Pas lirimit nga burgu më 28 prill 1990, Demaçi do të angazhohej në fushën e të drejtave të njeriut dhe, më 1991 u bë kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Më 1991, ai do të nderohej me çmimin “Sakharov” për Lirinë e Mendimit nga Parlamenti Evropian në Strasburg. Udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995.
Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Si shkrimtar i njohur e veprimtar për të drejtat e njeriut, Demaçi vazhdimisht ka bërë edhe thirrje që njerëzit të pajisen me dije. Ndër veprat e tij kryesore letrare janë: “Kur zoti harron” (Prishtinë 1991); “Libër për Vet Mohimin” (Skien 1994), “Tung vargu im” (Prishtinë 2002) dhe “Dashuria kauntike e Filanit” (Prishtinë 2007). Vdiq në moshën 82-vjeçare më 26 korrik 2018.
Akademia Përkujtimore u mbyll me këngë. Qe sopranoja e njohur Besa Llugiqi e cila nën përcjelljen e tingujve pianistikë të kompozitorit të shquar Valton Beqiri solli disa nga perlat e muzikës shqipe. Këndoi këngë si “O vendi im”, “Unë biri yt Kosovë”, “Kroi i fshatit tonë” e të tjera.