Kandidatja e vetme për kryesuese të Kuvendit Komunal të Podujevës nga radhët e Vetëvendosjes është tërhequr nga gara. Seanca e djeshme ku në dy raunde dështoi zgjedhja e kryesueses, ka vazhduar sot me një orë vonesë krahasuar me paralajmërimin.
Por, pak minuta kanë vazhduar punimet e seancës. Fillimisht është bërë tërheqja e Stubllës nga kjo garë.
"Po shihet që kështu nuk po mund të ecim tutje dhe për t'i hapur rrugë procesit, unë tërhiqem nga gara për kryesuese. Unë ju falënderoj, secili që më ka votuar dhe që nuk më ka votuar", ka thënë Adelina Stublla.
Pas saj, kritika për zvarritjen e zgjedhjes së kryesuesit ka pasur këshilltari i vetëm i Organizatës së Ballit Kombëtar Demokrat, Gazmend Islami.
"E kam një lutje për të gjitha subjektet politike, është një lutje që të mos i maltretojmë më tutje qytetarët me kalkulime. Është e ulët dhe jodemokratike që t'i maltretojmë kështu. Nuk ka trohë morali këtu. Ai që i ka marrë 500 vota e me i maltretua kështu nuk është në rregull. Është thirr mbledhja në 10, e tash fillon në 11. Ulni gjakrat. Kalkuloni mirë, rrini këtu. Është hera e parë që jam zgjedh, po jam shumë i zhgënjyer", është shprehur Islami.
Ndërkohë, kryesuesi Hilmi Hoxha (PDK), si më i vjetri, ka kërkuar pauzë një orëshe. Në seancë kanë munguar 3 këshilltarët tjerë të PDK-së.