Arbëri

Abuzimet e ekspertëve gjyqësorë në kurriz të shtetit

Një dokument qeveritar flet për abuzimet në vlerësime që i bëjnë ekspertët gjyqësorë, të cilët prej vitesh caktohen pa ndonjë kriter gjatë proceseve në gjykata.

Thuajse të gjitha bëhen në dëm të buxhetit të shtetit.

“I njëjti ekspert kur është i paditur shteti, p.sh. në rastet e shpronësimit të patundshmërive, jep vlerësim financiar me një çmim shumë më të madh, derisa në rastet e tjera kur i paditur është ndonjë person fizik apo juridik dhe parametrat e patundshmërisë janë pothuajse identike, jep vlerësim shumë më të ulët”, thuhet në dokument.

Një rast tjetër tregon se si dëmtimi në një automjet është vlerësuar më shumë se dyfishi i vetë automjetit.

“Ekspertiza ka konstatuar se dëmi i shkaktuar kap vlerën 2 000 euro, kurse i tërë automjeti sipas një hulumtimi të thjeshtë të tregut në mesatare kushton 800 euro, mirëpo, meqë nuk ka pasur ndonjë kontestim nga ana e palëve gjykata duhet ta pranojë atë ekspertizë”, thuhet tutje në dokumentin qeveritar.

Vlerësime abuzive janë bërë edhe në rastet e evidentimit të lëndimeve trupore.

“Cilësimi i lëndimit trupor konsiderohet si dëmtim i lehtë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, derisa kur palët udhëzohen në kontest civil, ekspertiza në procedurë civile bën ricilësim të lëndimit trupor si lëndim i rëndë”, është konstatuar në dokument.

Dallime të mëdha janë gjetur edhe mes vlerësimeve të ndryshme që i janë bërë të njëjtit rast.

“Në të njëjtën lëndë gjyqësore dy ekspertë të lëmit të njëjtë, të angazhuar nga palët ndërgjyqësore, kanë dhënë ekspertizë totalisht të ndryshme mbi faktet e njëjta”, thuhet tutje në dokument.

Abuzimet janë të natyrave të ndryshme e të cilave Ministria e Drejtësisë synon t’u japë fund nëpërmjet nxjerrjes së një ligji që kërkon licencimin e ekspertëve dhe që i mban ata përgjegjës për vlerësimet që ofrojnë.

Koncept-dokumenti i finalizuar së fundmi, me të cilin është iniciuar kjo nismë ligjore, tregon se numri aktual i personave që ofrojnë ekspertiza gjyqësore është i panjohur pasi që gjykatat dhe prokuroritë zyrtarisht ende shërbehen me regjistrin e përpiluar nga koha e UNMIK-ut dhe jo rrallëherë gjyqtarët dhe prokurorët angazhojnë ekspertë që fare nuk janë në listë.