Emir Abrashi, hulumtues i politikës së jashtme, nuk e sheh se Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të themelohet gjatë këtij mandati të Qeverisë Kurti.
Ai ka thënë se pikërisht për shkak të çështjes së Asociacionit, është ngrehur edhe tema e zgjedhjeve të parakohshme. Sipas tij, Qeveria nuk është e interesuar ta implementojë.
Abrashi ka shtuar se nëse themelimi i Asociacionit vendoset si kusht nga ndërkombëtarët, anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të shtyhej edhe për një vit. Megjithatë, ka theksuar se “sado që do donim t’i iknim si përgjegjësi, është e pamundur sepse është obligim ndërkombëtar i Kosovës”.
“Në këtë mandat dyshoj se kjo qeveri do të lëvizë drejt formimit të Asociacionit, për këtë arsye kanë filluar të diskutohen në retorikën publike, edhe kryeministri Kurti, çështja e zgjedhjeve. Kjo është mesazh që Qeveria e Kosovës nuk është e interesuar ta bëjë implementimin e Asociacionit në këtë fazë”, ka thënë ai në Interaktiv.
Se anëtarësimi në Këshill të Evropës nuk mund të pritet pa u themeluar Asociacioni, e ka thënë edhe ndihmëssekretari amerikan për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, të premten. Abrashi ka deklaruar se O’Brien dha mesazhe për Qeverinë.
“O’Brien dha mesazh se Kosova nuk mund të pres anëtarësim derisa ka çështje në pritje siç është Asociacioni.... Është hiperbolizim (gjendja në veri), nuk është situata aq e rëndë sa paraqitet, por O’Brien këto deklarata i bën nga raportet që i vijnë nga terreni, nga ambasada amerikane dhe ambasada i bën duke biseduar me qytetarët dhe përfaqësuesit politikë”, ka thënë ai.
Abrashi është shprehur se Qeveria e Kosovës nuk ka as koordinim të brendshëm e as të jashtëm.
“Nuk po arrijmë të dalim nga sanksionet edhe pse jemi pala e pafajshme sepse nuk po arrijmë të kemi një strategji për të komunikuar me partnerët ndërkombëtarë. Qeveria e Kosovës duhet seriozisht të ulet të mendojë mënyrën se si i merr vendimet sepse çdo vendim që po merret nga Qeveria po ekzekutohet gabimisht, nuk po transmetohet në mënyrë të duhur dhe ne po na kthen në bumerang”, ka thënë ai.