Arbëri

Abrashi: Për çka dëshiron Kurti të marrë dakordimin e Serbisë, Asociacioni kompetencë e Kosovës

Njohësi i politikave të jashtme, Emir Abrashi, ka thënë se nuk e kupton insistimin e kryeministrit Albin Kurti, që të nënshkruajë draft-statutin e Asociacionit të komunave më shumicë serbe.

Ai në një intervistë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka theksuar se Kosova tashmë ka një marrëveshje për Asociacionin të nënshkruar e të ratifikuar në Kuvend.

“S’e kuptoi insistimin e Kurtit për të nënshkruar diçka lidhur statutin e Asociacionit, marrë parasysh se ne kemi të nënshkruar marrëveshjen për Asociacionin në vitin 2013, po ashtu në vitin 2015, është ratifikuar në Kuvend dhe për çfarë marrëveshje po flitet tani, në anën tjetër formimi, draft-statuti i Asociacionit është kompetencë ekzekutive e palës kosovare, për çka dëshiron kryeministri të marrë dakordimin e Serbisë”, ka deklaruar Abrashi.

Sipas tij ai draft-statut është sjellë nga ndërkombëtarët pasi që Kosova nuk e ka ofruar një draft të saj.

“Draft-statuti i Asociacionit ka ardhur nga lartë për shkak se Kosova deri më tani nuk e ka ofruar një draft të Asociacionit, prandaj ne e kemi sjellë punën deri aty që dikush tjetër të na e sjell një draft të tillë, drafti nuk ka ardhur nga Serbia dhe nuk e di pse duhet ta kemi nënshkrimin e Serbisë”, ka theksuar Abrashi.

Derisa ka thënë se nuk është lajm që Serbia ka qenë jonkonstruktive në procesin e dialogut, Abrashi e ka kritikuar qasjen e Qeverisë së Kosovës në këtë proces.

“Qeveria e Kosovës absolutisht është duke u marrë vetëm me ankesa, ju ka hyrë juve në territor, po e bën rolin e gazetarit, po transmeton faktet, ndërkohë që Qeveria do të duhej të merrej aktivisht me ndryshim të realitetit”, ka deklaruar Abrashi.

Sipas tij Pala Kosovare nuk ka arritur që të lexojë momentumin në procesin e dialogut.

“Pala ndërkombëtare, në mënyrë që ta mbaje Serbinë jashtë ndikimit të Rusisë, ani pse nuk ka arritur ta bëjë plotësisht, por ta mbajë në fushën e saj ka vendosur t’i bëjë disa koncesione, në këtë aspekt pala kosovare nuk ka ditur ta lexojë momentumin, nuk ka ditur si t’u qaset partnerëve ndërkombëtarë dhe ka arritur që në vend se ta shfrytëzojë momentumin dhe të marrë përfitime për veten, ka arritur që duke ‘u shitur mend’ ndërkombëtareve, t’i agjitojë partnerët e Kosovës deri në atë pikë, sa pala kosovare ka dalë jokonstruktive, pala kosovare i vuan pasojat, pala kosovare ka sanksione, ndërsa pala Serbe është e përkëdhelura”, është shprehur Abrashi.

Ai ka thënë se dialogu aktualisht po hyn në një fazë ku po shtohet serioziteti i Bashkimit Evropian.

Megjithatë, sipas tij, në këtë proces ka një mungesë të theksuar të transparencës.

“Ka një seriozitet të shtuar në procesin e dialogut dhe deklarata e Lajçakut në rrjetin social X pas takimit me Bislimin, tregon se ka tentativa, por kjo vazhdon të jetë një gjuhë goxha e thatë e BE-së, por edhe e institucioneve të Kosovës, dhe ka një mungesë të theksuar të transparencës, lidhur me atë se për çfarë hapash janë marrë vesh, është fjala për procesin e dialogut, për formimin e Asociacionit apo për çfarë është fjala”, ka deklaruar Abrashi.


Abrashi: Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë sukses në politikën e jashtme

Sipas Abrashit Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, nuk ka shënuar asnjë sukses në politikën e jashtme.

“Qeveria nuk ka asnjë sukses në politikën e jashtme, ose ndoshta janë aq minimale ato suksese, sa lënë shumë për të dëshiruar”, ka deklaruar ai.

Abrashi ka folur për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, të cilin Kurti e ka cilësuar si sukses të Qeverisë.

Sipas Abrashit, suksesi paraqet atë që ndodhë pas fazës së aplikimit.

Abarashi ka komentuar edhe deklaratën e Kurti i cili ka thënë se Ministria e Jashtme ka zhvilluar mbi 500 takime ndërkombëtare.

Sipas tij vetëm takimet nuk mund të merren si sukses, por duhet ditur se cilat janë sukseset e Kosovës nga këto takime.


Abrashi: Me Gërvallën në krye në MPJD po bëhet gjueti shtrigash

Abrashi, ka thënë se me ardhjen nën udhëheqjen e Donika Gërvallës, në Ministrinë Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), po bëhet “gjueti shtrigash”.

Ai ka thënë se Donika Gërvalla, “ka probleme bazike në politikën e jashtme, në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

“Qysh me ardhjen e Gërvallës në krye të MPJ-së kemi një gjueti shtrigash, një fuzionim të pashëndetshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme me atë të Diasporës, gjoja në emër të reformave janë nxjerr nga puna diplomatët me eksperiencë të Kosovës, disa të tjerë kanë dhënë dorëheqje”, ka theksuar Abrashi.

Sipas tij pozitat kyçe në këtë ministri mbahen nga persona që nuk kanë përvojë në diplomaci.

“Nga pesë pozitat më të rëndësishme në MPJ, ministri, dy zëvendësministrat, shefi i kabinetit dhe ushtruesi i detyrës i Sekretarit, asnjëri nuk ka përvojë në diplomaci, sot kemi më shumë një Ministri të Diasporës brenda MPJ-së sesa një ministri e cila udhëheq me politikën e jashtme dhe diplomacinë”, ka deklaruar Abrashi.

Abrashi ka thënë se Gërvalla më tepër po sillet si ministre e Diasporës.

“Ajo më shumë po sillet si ministre e Diasporës. Që nuk ka asgjë të keqe. Por, mbase vendimi për t’i fuzionuar ministrinë e punëve të jashtme dhe diasporës, ka qenë i ngutshëm. Mbase do të duhej t’ia linin zonjës Gërvalla udhëheqjen e Ministrisë së Diasporës, e me politikë të jashtme të merrej dikush që e kupton realisht politikën e jashtme. Mendoj se zonja Gërvalla ka probleme bazike në politikë të jashtme, marrëdhënie ndërkombëtare, e më pas e bëjnë edhe joserioze për përfaqësimin e vendit jashtë. Unë besoj se këtë, pavarësisht lëvdatave që merr kohë pas kohe nga kryeministri, edhe vetë kryeministri e di. Rrjedhimisht edhe çështjet e rëndësishme të politikës së jashtme o i ka marrë ai vetë, o i udhëheq presidentja Osmani, o si shembull i udhëheq, si çështjen e dialogut zëvendëskryeministri i parë”, ka thënë Abrashi.

Ai ka thënë se Gërvallës i është lënë shumë pak hapësirë në politikë të jashtme.

“Mendoj se është pasi vetë kryeministri e ka të qartë se zonja Gërvalla më shumë bën deklarata politike, është më e mirë për ta mbikëqyrë punën e diasporës, sesa të politikës së jashtme”, ka deklaruar Abrashi.