Arbëri

Abrashi: Marrëveshja për paqe me Serbinë çon drejt marrëveshjes finale

Njohësi i politikave të jashtme, Emir Abrashi, deklaroi se gjatë muajit korrik, Kosova e Serbia pritet t’i nënshkruajnë tri marrëveshje, ndër to, sipas tij është marrëveshja për paqen. Abrashi tha në Interaktiv të KTV-së të hënën se kjo marrëveshje do t’i hapte rrugë arritjes së marrëveshjes finale.

“Sot i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak i përmendi 3-4 marreveshje që do të arrihen brenda këtij muaji, por ne nuk kemi informacione se cilat janë ato. Ka zëra, por nuk kemi transparencë. Janë tri marrëveshje: marrëveshja për të pagjeturit, marrëveshja për targat si dhe ajo për paqen. Nuk jam optimist që të arrihen brenda këtij muaji. Sfidë vazhdon të mbetet asociacioni dhe zbatimi i vendimit për pronat e Kishës Ortodokse në Deçan”, deklaroi Abrashi.

Sipas tij, derisa pala kosovare dhe ajo serbe janë të interesuara për dialog, mbetet lajm i mirë, por që sipas Abrashit, procesin e dialogut po e pengon destruktiviteti i të dyja palëve.

“Nuk mund të ketë përafrim derisa ka tone përçarëse, që ngjallin dyshime. Deklaratat luftënxitëse të Serbisë janë të papranueshme, duhet të ketë kundërpërgjigje nga pala kosovare. Kemi zgjatje të panevojshme të dialogut. Nga normalizimi i marrëdhënieve përfiton vetëm pala kosovare. Ne nuk jemi anëtar të OKB-së, as vend kandidat për BE, as të njohur plotësisht, me ç’rast Serbisë i konvenon ta shtyjë këtë status-quo”, deklaroi njohësi i politikes së jashtme.

Ai theksoi se marrëveshja për energjinë është pozitive, por që zbatimi i saj nisi me vonesë, ndonëse ishte nënshkruar vite më parë.

“Çdo marrëveshje të arritur deri më tani, ose duhet ta zbatojmë ose ta rinegociojmë. Duhet të mos i humbim momentumet, deri më tani kemi humbur shumë shanse”, shtoi Abrashi, derisa potencoi se aplikimet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës duhet të bëhen me garanci nga shtetet perëndimore.

“Ne i kemi katër shtete që nuk na njohin, për të bërë aplikime duhet të kemi garanci nga shtetet perëndimore, që të mos bllokohet çfarëdo aplikimi në të ardhmen. Shërbimi ynë i jashtëm nuk po merret me politikë të jashtme”.

Ai tha se diplomacia kosovare duhet të jetë e gatshme në çdo moment dhe t’i rrisë diskutimet me kryeqendrat perëndimore, në mënyrë që të merret seriozisht në aplikime për anëtarësime në organizata të huaja.

“Vizita e kryeministrit Kurti në SHBA u bë për të treguar se nuk i ka dyert e mbyllura në SHBA. Derisa s’kemi koordinim me administratën amerikane, do të kemi probleme. Na duhet presioni i SHBA-së mbi palën serbe për marrëveshje”, tha Abrashi.