Arbëri

Abrahams: Llogaridhënia për krimet e luftës duhet të jetë në qendër të negociatave

E ardhmja e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ndërtohet pa e përmbyllur kapitullin e krimeve të luftës. Kështu thotë Fred Abrahams, aktivist shumëvjeçar për të drejtat e njeriut, drejtor programi dhe hulumtues në organizatën “Human Rights Watch”.

Në një intervistë për KOHËN, Abrahams, i cili në vitet ‘90 të shekullit të kaluar ka qenë hulumtues i HRW-së në Kosovë dhe më vonë edhe dëshmitar në gjykimet për krime lufte të zyrtarëve serbë në Tribunalin e Hagës, kujton ngritjen e aktakuzës kundër Slobodan Milosheviqit, para 21 vjetësh, si një moment të rëndësishëm në historinë e llogaridhënies për krimet e kryera jo vetëm në Kosovë, por edhe për gjithë botën.

K.D.: Po flasim për përvjetorin e aktakuzës së ngritur ndaj Slobon Milosheviqit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë serbë më 1999. Atëherë ju punonit – dhe ju vazhdoni të punoni – në organizatën “Human Rights Watch” dhe ju në njëfarë forme po hulumtonit dhe po hetonit krimet e kryera nga Serbia dhe palët e tjera në rajon. Si e kujtoni kohën kur ishte ngritur aktakuza?

Abrahams: Paj,.... më kujtohen dy reagime të ndryshme ndaj aktakuzës. Dhe natyrisht se i pari ishte lumturi e skajshme. Ne mbase nuk kishim pritur se do ta shihnim këtë ditë. Dhe ne aktivistët ndërkombëtarë, mbase të gjithë, pothuajse të gjithë aktivistët, aktivistët kosovarë të të drejtave të njeriut dhe njerëzit e tjerë në rajon, të gjithë po shihnim këtë sjellje përbindëshe, këto sjellje, këto krime të tmerrshme kundër njerëzimit që po i dokumentonim, që po i raportonim, dhe më në fund të kishte një aktakuzë, të kishte një proces drejtësie që ky njeri dhe njerëzit e tjerë të viheshin para gjykatës, e dini, ishte një moment përnjëmend i gëzueshëm.

Në anën tjetër, e kisha edhe hallin e kohës së ngritjes së saj dhe ajo po ngrihej gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s, dhe shqetësohesha. Dhe nga ky fakt, koha e ngritjes së aktakuzës do të hapte derën për Gjykatën të politizohej çështja e aktakuzës, që do të mund të shihej si aktakuzë e politizuar – e që nuk mendoj se nuk ishte çështje e politizuar – por kjo e krijoi mundësinë për atë dyshim se kjo ishte drejtësi e fituesve, se kjo ishte fuqia e Perëndimit për ta nënshtruar popullin serb dhe ne e dimë gjithashtu se gjatë gjykimit, ai (Milosheviqi,v.j.) e përdori këtë kartë. Isha paksa i shqetësuar për këtë gjatë asaj kohe.

KD: Pse mendoni se ishte ngritur pikërisht gjatë asaj kohe?

Abrahams: Ma merr mendja se arsyeja kryesore ishte grumbullimi i dëshmive, se kryeprokurorja e atëhershme ishte profesioniste dhe po ndiqte provat e një krimi për të hapur rastin. Hetimi nuk kishte filluar gjatë bombardimeve të NATO-s, hetim kishte para bombardimeve. Dhe mua më kujtohet kur takova ekipin finlandez të forenzikës në Abri, në Abri të Epërme, pas masakrës së shtatorit.

E dini, ata ishin gjithandej, ata ishin duke hetuar dhe mendoj se më në fund kishin mbledhur dëshmi të mjaftueshme për të hapur rast. A kishte atëherë një trend të përgjithësuar politik, unë s’e besoj. Unë kurrë nuk kam dëgjuar ndonjë sugjerim se ishte bërë ndonjë thirrje telefonike se kishte presion të drejtpërdrejtë për të ngritur aktakuzën. Natyrisht se erdhi si rrjedhë dhe nuk ishte në pozicinim me trendet e politikës ndërkombëtare të asaj kohe.