Arbëri

Abdullahu: Pa PDK-në e ha dreqi këtë vend, Hamza për të mirën e Kosovës

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu, ka deklaruar se kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi u tërhoq nga opsioni për kandidat për kryeministër, e kjo sipas tij “u bë për të mirën e Kosovës”.

Ai ka thënë të enjten në “Interaktiv” se Hamza është opsion për të larguar “dështimin e Qeverisë Kurti”, e “pa PDK-në e ha dreqi këtë vend”.

“Hamza e ka merituar këtë pushtet, i është dhënë me meritë. Po ofron zhvillim ekonomik për të zëvendësuar këtë dështim. Krasniqi u tërhoq jo vetëm për të vendosur Hamzën, por edhe për të mirën e Kosovës. Është hap tutje, z.Krasniqi që bën hap tutje me gjithë këtë qq ka bërë që futet në një fazë që është maturuar për t’u bërë lider partiak. Partisë i duhet një dyzim i politikës dhe liderit me politikën”, ka thënë Abdullahu.

Zëdhënësi i partisë opozitare ka deklaruar se nëpërmjet Hamzës, PDK-ja po e ofron “zëvendësimin e amatorëve në qeverisje”, derisa ka bërë thirrje që vendi të shkojë sa më parë në zgjedhje.

Për Abdullahun, 9 qershori do të ishte datë e volitshme për zgjedhje të jashtëzakonshme.

“E jona është të bëjmë opozitarizmin dhe kemi ardhur në përfundimin që duam zgjedhje. Të ulemi dhe të pajtohemi për të shkuar në zgjedhje, të gjejmë një datë relevante. Të shkojmë në zgjedhje, jemi të bindur që çdo ditë që vazhdon mospunën kjo Qeveri, është në dëm të Kosovës. Kjo Qeveri ka pasur mundësi të punojë, nga 2019-a jemi në opozitë”, është shprehur ai.

Sipas zëdhënësit të PDK-së, kjo parti do të futet në zgjedhje për të fituar, por jo për të qeverisur e vetme.

“Jam i bindur se nesër në PDK në formën më të mirë do t’i mbrojë vlerat, trashëgiminë, askund më shumë në asnjë parti e subjekt s’mund të gjesh më shumë njerëz që kanë qenë pjesë e UÇK-së. Ne po hyjmë (në zgjedhje) me fitu, jo të qeverisim vetëm. Ne hyjmë të fitojmë sepse është obligim moral që të fitojmë dhe ta ndalim Albin Kurtin...Pro-amerikanizmi dhe zhvillim ekonomik në Kosovë është në opozitë”, ka shtuar ai.

Për kryeministrin Albin Kurti, Abdullahu ka shtuar se “vlon nga idetë korruptive”.