Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, duke thënë se Qeveria Kurti “e ka vënë thikën mbi hartën gjeopolitike të SHBA-së për Ballkanin”.
Zëdhënësi i kësaj partie, Faton Abdullahu, ka thënë se është e pakuptueshme se si janë dëmtuar raportet mes Kosovës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se PDK-ja është alternativë që do t’i rregullojë raportet me ndërkombëtarët.
“Nëse e sheh sot çka po ndodh, çfarë tone kishte letra e O’Brien, mund të thuash që kjo Qeveri po i vë thikën në hartën gjeopolitike të SHBA-së për Ballkanin Është çështje e brendshme e BQK-së, por kjo qeveri konsideron se ka fituar aq vota sa ka të drejtë të involvohet në segmente të tjera. Deri aty shkon populizmi. Kemi të bëjmë me një kulture politike, tash qeverisëse që e ka zyrtarizuar një mendësi e kjo do të thotë kur nuk koordinohesh me SHBA-në, për aq e shtrin sovranitetin në veri, për aq e forcon shtetin e Kosovën. Për aq politika është më e drejtë, deri këtu ka shkuar Qeveria”, ka thënë Abdullahu.
Sipas tij, asnjëherë raportet me SHBA-në s’kanë qenë në këtë stad, duke thënë se në të kaluarën secili mospajtim është trajtuar.
“Alternativa e PDK-së është në koordinim me SHBA-në dhe të vetëdijshëm... Situata është vështirë për t’u definuar se çka ndodh nesër. Duam të shkojmë në zgjedhje sa më shpejt t’i japim mundësinë qytetarit, të kthejmë pushtetin me vota te qytetari. Kjo Qeveri s’ka fituar vota nga qytetarët duke thënë se në një stad do të jemi në atë shkallë të papajtueshëm me SHBA-në. Zgjedhjet ishin demokratike, si PDK i kemi lexuar drejt...Nuk do të bëjmë këtë budallallëk politik që bëhet sot, në themel është populiste e majtizmit ekstrem e bie në këtë përfundim...Kurti ka problem edhe në të kaluarën, i sheh në ëndërr ata që i nxori rezistenca e lufta, e pastaj shtyhet me ata, jo me të tashmen...Kurti jeton në një dimension tjetër, jo pragmatik, ka ardhur puna që të kemi kësi lloj reagimi të SHBA-së. Jam i brengosur se si mund të ngrihet në këtë nivel që të mos pajtohemi me SHBA-në”, u shpreh tutje zëdhënësi i partisë opozitare.
Ai ka shtuar se Kurti e ka sjell situatën kur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) duhet të flitet për dinarin serb, e sipas tij, është vënë në heshtje çështja e sulmit në Banjskë.
“Rrethanat gjeopolitike sot do të duhej të na bënim më të vëmendshëm e pragmatik, kjo politiëk konsideron që ‘sa më pak të koordinohemi, aq më mirë e sovran jemi’’”, ka shtuar Abdullahu.