Në tubimin që mbajti në Podujevë, kandidati i Lidhjes Demokratike për kryeministër, Lumir Abdixhiku, krahas magjistrales që lidh këtë qytet me Prishtinën u zotua se do të ndërtojë edhe zonë ekonomike për bizneset e Llapit, çerdhe të reja e spital. Mbështetja e Llapit, sipas tij, është tregues i fitores së sigurt të LDK-së
Tubimi elektoral në Podujevë, për kandidatin e LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, është tregues për fitore të sigurt në zgjedhjet e 9 shkurtit. Këtë ai e tha tek iu drejtua mbështetësve të partisë të mbledhur në sheshin e këtij qyteti.
“Llap, i dashuri Llap, e paskeni mbushur një shesh të tërë, nuk paska nevojë të marrim fotografi nga tubimi në Gjilan. Kur ju shoh kaq shumë e kam krejt të qartë se po shkojmë veç për fitore dhe asgjë më pak se kaq”, u shpreh ai në hapje të fjalimit.
Abdixhiku u shpreh se ashtu siç e ka përcaktuar rënien e LDK-së, Llapi do ta përcaktojë edhe ngritjen e saj.
“Rënia ndodhi kur ne u ndamë në Llap, ringritja jonë do të ndodhë kur ne ringritemi kështu, si sot në Llap. Kohë më parë mu në Llap, ndarësit e popullit, përçarësit e vendit, shpërndarësit e urrejtjes, kishin kërkuar mbytjen e LDK-së. E kishin kërkuar mu këtu në Llap. Si nuk e dinin këta të shkretë se LDK-ja ka lindur në Llap, LDK-ja është mbrojtur në Llap, LDK-ja do të rikthehet në Llap”, u shpreh ai.
E kthimi i LDK-së në këtë bastion që e mbajti deri në zgjedhjet e kaluara lokale, Abdixhiku tha se do të jetë fitimprurës për qytetarët. U shpreh se Llapi do të jetë prioritet i udhëheqjes qendrore të LDK-së.
“Është koha të flasim për bërjen e projekteve në vend, të flasim për investime të mëdha që priten të vijnë në Llap e në Podujevë. Do të keni mbështetjen time, do të keni mbështetjen e qeverisë sime. Të gjithë ekipit tim me prioritet absolut Llap”, ka thënë ai.
Në këtë qytet, kandidati për kryeministër u zotua se punimet rreth njëdekadëshe për magjistralen Prishtinë- Podujevë do t’i përfundojë në kohë rekorde.
“Do ta përfundojmë magjistralen e stërzgjatur në kohë rekorde e me prioritet absolut si interes nacional të vendit. Do të jem vetë në terren çdo ditë, çdo natë për t’i përfunduar punimet në kohë rekorde për ju Llap”, u zotua ai.
Abdixhiku premtoi ndihmë për bizneset e tha se Llapi do të bëhet edhe me zonë ekonomike.
“Do të japim mbështetjen e plotë që bizneset e shumta të Llapit e kësaj ane të kenë zonën e tyre ekonomike me qëllim të krijimit të bereqetit të punës e vendit të punës për qytetarët tuaj, për Llapin tuaj”, shtoi ai.
Dha zotime edhe për ndërtimin e çerdheve të reja.
“Do të ndërtojmë çerdhe gjithandej nëpër llap, që fëmijët tuaj të jenë në sistem shkollor nga mosha 3-vjeçare sa më parë e sa më shpejt”, premtoi ai.
Nën qeverisjen e tij, pretenduesi për kryeministër u shpreh se Podujeva do të bëhet edhe me spital.
“Do të rikthejmë spitalin e Podujevës, atë që e hoqën këta, sepse si vend, si qytet e meritoni këtë spital”, premtoi ai.
Abdixhiku tha se pas qeverisjes aktuale 4-vjeçare, që e cilësoi kohë të humbur për Kosovën e ngecje, tha se është koha e kthimit të LDK-së në Ekzekutiv.
“Për katër vjet të plota njerëzit e Kosovës kanë vëzhguar sesi premtimet e mëdha kthehen në fjalë të thata, se si ato e humbasin peshën para humbjes së vetë shpresës. Dhe me shpresë e me besë, humbet dhe ëndrra për vende të punës, për paga të larta, për shkolla të denja, për spitale të shëndosha, për drejtësinë e mbarë, për vetë jetën këtu në Kosovë. Për 4 vjet të plota pamë e dëgjuam pushtetin teksa flet, foli qartë, foli mbrapshtë, foli me çmime të larta, me paga të ulëta, foli me propagandë, me ndarje e përçarë. Është koha të flasim ne, të flasim fort, të flasim djathtë”, tha ai.
Zgjedhjet e 9 shkurtit Abdixhiku tha se do të jenë përcaktim i së ardhmes së Kosovës. U shpreh se qytetarët para vetës kanë dy zgjidhje.
“Si një shtet në zhvillim me njerëz që bëjnë jetën këtu, si një shtet të hapur në lumin e madh të rrjedhave botërore, apo si një vend i zymtë i propagandës, i përçarjes, i mbylljes e i sanksioneve, si një vend i zbrazjes së dhimbshme, i thyerjes së madhe përtej së cilës mbesim edhe pak, edhe vetë, edhe keq. Këtë zgjedhje ne e kemi shumë të qartë. Këtë zgjedhje sonte Podujeva e paska shumë të qartë”, deklaroi ai.
Simpatizantëve që dolën në sheshin e Podujevës, përveç votës për LDK-në, Abdixhiku u kërkoi edhe pjesëmarrje në tubimin përmbyllës që do ta mbajë të shtunën në Prishtinë, i cili tha se do të jetë më madhështori i mbajtur ndonjëherë.