Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, ka thënë se ish-presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ishte perëndimor autentik.
“Rugova nuk ishte properëndimor. Ai ishte perëndimor autentik”, është shprehur Abdixhiku në konferencën e organizuar për ndër të 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.
Ai ka theksuar se mësimet politike të Rugovës janë të nevojshme. “Sot mësimet politike të Rugovës në këtë kohë të lëkundjesh të mëdha janë po aq të nevojshme. Nuk të lënë të futesh në rrugën pa krye. Për ne Perëndimi nuk është dëshira jonë por identiteti ynë.
Ish-kryeministri italian: Shqetësimi i Klintonit ishte se Rugova mund të fliste kundër bombardimeve të NATO-s

Ish-kryeministri i Italisë në kohën e luftës në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-së, Massimo D’Alema, ka evokuar një kujtim interesant rreth Ibrahim Rugovës.
Në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Fondacioni “Ibrahim Rugova” në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, ish-kryeministri italian ka thënë se shqetësimi kryesor i ish-presidentit Bill Klinton ishte se Rugova mund të fliste kundër bombardimeve të NATO-së.
“Shqetësimi i Klintonit ishte se pacifisti Ibrahim Rugova mund të fliste kundër bombardimeve të NATO-së. Më pas, nga një konferencë në Romë, Rugova falënderoi NATO-në që mbrojti popullin e tij, e kujtoj Klintonin që i thash, Bill duhet ta falënderosh Rugovën sepse unë nuk bëra asgjë për ta bindur atë”, tha ai. “Jam i nderuar të jem këtu, në Prishtinë, të flas në këtë ngjarje në përkujtim të Ibrahim Rugovës. Jam i nderuar të kujtoj këtë luftëtar dhe intelektual, me të cilin kisha mundësinë të diskutoja për vendin e tij. Ishte një moment i vështirë, kohë e vështirë në konflikt. Bombardimet e NATO-së kishin filluar, por nuk kishte shenja që Serbia do të dorëzohej dhe do t’i tërheqtë trupat e do ta lejonte paqen në Kosovë. Në Uashington, në një takim, mundësia e intervenimit të NATO-s ishte rritur”, ka shtuar D’Alema. /EO
Hovenieri për Rugovën: Ishte inspirimi im dhe mësues për mua

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka kujtuar kohën sa e kishte takuar ish-presidentin, Ibrahim Rugova. Madje, Hovenier, kishte shpresuar që do t’ia dhuronte një gurë të çmuar.
Ambasadori amerikan ka thënë se Rugova ishte një inspirim dhe mësues për të.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin atë çka përfaqësonte dhe bënte Ibrahim Rugova. I gjithë respekti im është për Ibrahim Rugovën, për atë çka ishte dhe çka bënte. Kur e takova për herë të parë, ishte këtu në Prishtinë. Po mbaja bllokun tim të shënimeve për të marrë shënime të rëndësishme. Dhe po shpresoja, po shpresoja të ma jepte një gurë sepse kjo ishte e famshme dhe shumë prej kolegëve të mi shpresonin dhe ai nuk ma dha, u theva i tëri. Shpresoja sepse kishim shumë respekt për atë çka bënte ai”, tha Hovenier. /EO
Edi Rama: Pa Rugovën s’do të kishte UÇK
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka lartësuar figurën e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai tha se pa Rugovën nuk do të kishte Ushtri Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, pa politikën e tij afruese me aleatët nuk do të jehonin as armët e ushtarëve të UÇK-së bashkë me bombardimet e NATO-s mbi Beograd.
Në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, Edi Rama tha se po flet mbi njeriun që e ka shënjuar historinë e shqiptarëve.
“Rugova ishte revolucionar me urtësinë e burrështetasit dhe burrështetas revulocionar. Rugova ishte si intelektual i nxjerrë nga arkivat e kohës romantike”, tha Rama.
Kreu i Qeverisë shqiptare tha se s’ka politikan tjetër si Rugova.
“Ai ishte i papërsëritshëm dhe i pashpjegueshëm deri në fund se si arriti t’ua imponojë njerëzve rrjedhën e politikës së tij. Rugova i dha popullit të tij një forcë të panjohur ndonjëherë në trojet tona”, tha Rama.
Sipas tij, Rugova besoi verbërisht tek aleancat dhe aleatët.
Rama tha se Rugova i dha Kosovës aleancën me ndërkombëtarët si pasuri natyrore që vendi i tij nuk e kishte.
“Presidenti Rugova ishte president i shpresës në mes të shtypjes së shpresës. Ishte lider i pazakonshëm në Ballkan”, tha Rama.
Sipas tij, Rugova ishte i vetmi në këtë vend që kishte kuptuar se konflikti nuk është rruga për drejtësi afatgjate. /EO