Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku përmes një shkrimi ka numëruar disa veprime të Qeverisë së Ramush Haradinajt, të cilat, sipas tij, e bëjnë këtë qeveri më të dobëtën, më të dëmshmen dhe më të rrezikshmen që Kosova e ka pasur ndonjëherë.
Abdixhiku ka numrin e lartë të zëvendësministrave, votimin e demarkacionit me Malin e Zi në formatin e njëjtë që dikur ishte kundërshtuar, milionët për Bechtel Enkan, rritjen e pagave për kabinetin qeveritar, tentimin për shfuqizim të Gjykatës Speciale, si dhe veprime të tjera.
Në vazhdim, reagimin e Lumir Abdixhikut, siç e transmeton KosovaPress
Çka pritët?
Për të nisur punë iu deshën 22 parti. Pjesë e marrëveshjes qeverisëse nuk ishte ndonjë program përparimtar - ishte një dokument tre faqesh mbi atë se kush e çfarë merr. Pazar hesapi. Ndanë karriga, shtuan ministri, u rahatuan mirë thanë “erdhëm për punë të mëdha”.
Punë e madhe e tyre doli të jetë emërimi i 80 zëvendësministrave. Këta të fundit njihen sot për raportet e tyre “dinamike” - material për tallje kolektive. Kur mbaruan me zëvendësministra, krijuan koordinatorë. Kështu Qeveria e Kosovës ka sot “koordinator për rini” dhe “koordinator për gjeneratë të re”; dhe kjo s’është barcoletë. Bëjeni diferencën vet.
Në menaxhimin e parasë publike treguan pangopësi. Vendimi i parë, rritja e pagave për vete. Thanë se “ju duheshin për kravatë”. Vendimi i dytë falja e 60 milion eurove prodhuesve të ujit. Thanë se “ju ka tekë”. Vendimi i tretë shtimi i 53 milion eurove Bektel Enkas. Thanë mos bëni fjalë se “i shpëtuam miliona të tjerë”. Për dy muaj shterrën rezervën shtetërore si asnjë qeveri më parë .
Në relacione ndërkombëtare prodhuan kaos. Provuan shfuqizimin e Gjykatës Speciale me fillim. “Thikë pas shpine” ishte cilësimi amerikan; “nata më e rrezikshme e Kosovës” ai britanik; në fund u kthyen ku ishin në fillim - veçse me një kosto të tmerrshme joserioziteti jashtë. Ku ishin në fillim u kthyen edhe demarkacion - veçse Kosovës i humbën 3 vjet jetë. Në fund votuan marrëveshjen e njejtë pa as edhe një ndryshim. Thanë “tash bëmë kufi të ri”. Tash, meqë ne jemi n’pushtet thanë, ju mund të lëvizni lirë.
Në dialog me Serbinë shkuan kallabllak - “hajde bac, hajde bac, bac bac bac” do të mbahet si ekskurzioni më i turpshëm kosovar ndonjëherë. Dikur nisën të flasin për kufinj. Një herë për ndarje, dikur për shkëmbim, në fund për korigjim - pa strategji, pa ide, thuajse lojë shpërblyese është kjo. Eksperimentet e tyre ndërkombëtare ndaluan njohjet, vënë Kosovën në status-quo, e i dhanë Serbisë letrën e palës së barabartë kur flitet për shtetin tonë. Këndej ndërsa vendosën tu paguajnë gjithë rrymën serbëve në Veri; e kriminelin e atjeshëm Radojçiq e lartnuan si mik.
Në sjellje me publik treguan arrogancë. Kur shtinë me armë zjarri thanë “është traditë”; kur thyen ligjin thanë “punë e madhe që thyhet një ligj”; kur u shtuan 19,000 veteranë thanë “jeni hajna të gjithë” - “paguani taksë për mosluftim” ishte një alternativë.
E pra miq, çka prisni nga të tillë? Pse çuditeni? Kjo Qeveri, pa dyshim, në pērbërje, në substancë, në dije, sjellje e prezantim është Qeveria më e dobët, më e dëmshme më e rrezikshme që Kosova ka pasur ndonjëherë.