Arbëri

Abdixhiku premton ujë të pijshëm e rrymë në Malishevë

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka premtuar ujë të pijshëm e energji elektrike në Komunën e Malishevës gjatë tubimit elektoral. Prej atje njoftoi se për ta mundësuar stabilitetin e furnizimit me energji në Kosovë, ka vendosur kontakte me administratën e re Trump, për ta gazifikuar Kosovën

Dy probleme elementare me të cilat edhe në vitin 2025 përballet Malisheva, siç janë uji e rryma, do të zgjidhen nën qeverisjen e LDK-së, premtoi kandidati i kësaj partie për kryeministër, Lumir Abdixhiku. Furnizimit me ujë të pijshëm, Abdixhiku tha se do t’i japë zgjidhje të menjëhershme. Për përmbushjen e këtij zotimi, premtoi se investimi do të jetë milionësh.

“Do të zgjidhim menjëherë, njëherë e përgjithmonë problemet e ujit të pijshëm, investim prej 5 milionë eurosh nga Qeveria qendrore për qytetin tuaj”, ka thënë ai.

Kandidati për kryeministër, gjatë tubimit në këtë qytet tha se fund do t’i jepet edhe reduktimeve të energjisë elektrike.

“Si vend i goditur më së shumti në Kosovë me reduktime të energjisë elektrike, do të fuqizojmë rrjetin e distribuimit për t’i ndalur në vitin 2025 reduktimet e gjata, mungesën e energjisë elektrike. E paparë e papranueshme, nuk do ta pranojmë, nuk do ta lejojmë”, premtoi ai.

Për ta mundësuar stabilitetin e furnizimit me energji, LDK ka në plan ndërtimin e një centrali me gaz amerikan. E për ta jetësuar këtë zotim, Abdixhiku njoftoi se e ka nisur punën ende pa e marrë pozitën që synon.

“Ne parashohim që gazifikimin i Kosovës të ndodhë sa më parë dhe me gazifikimin e Kosovës të ndodhë edhe ndërtimi i centralit të ri me gaz. Dhe më lejoni që tani që sot këtu të ju tregoj e njoftoj se Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka vendosur kontaktet me administratën e re amerikane, administratën e presidentit Trump për gazifikimin e Kosovës që në vitin e parë”, u shpreh Abdixhiku.

Në Malishevë, Abdixhiku premtoi edhe rritje të pagave për punëtorët e shtetit me koeficient 150 euro. Premtoi edhe rritje të pensioneve për 36.2 për qind ku tha se nuk do të ketë më pensione nën 150 euro.

Tubim elektoral, Abdixhiku ka mbajtur edhe në Nepërbisht të Suharekës ku dha një varg premtimesh për bujqësi.

“Do të dyfishojmë subvencionimet në bujqësi dhe natyrisht serrat tuaja do të marrin më shumë mbrojtje. Siç do të bëjmë që në vitin e parë themelimin e sigurimeve bujqësore. Të punoni e të jeni të siguruar në mënyrë që puna juaj të jetë e mbrojtur prej fatkeqësive të ndryshme natyrore”, premtoi ai.

Pos subvencioneve në punim të tokës, pretendenti për kryeministër tha se do të subvencionojnë edhe produktin.

“Do të subvencionojmë outputin, pra produktin tuaj, jo vetëm si subvencionim i garantuar prej shtetit, por gjithashtu si garanci të plasimit të këtij produkti në tregje kudoqofshin, qoftë në Kosovë qoftë jashtë Kosove”, premtoi Abdixhiku.

E gjatë së premtes në një konferencë për media, kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike, Besian Mustafa, e ka kualifikuar programin e partisë së cilës i përket, si të vetmin që ofron zgjidhje për problemet e qytetarëve. Ndërkaq, partitë kundërshtare për zgjedhjet e 9 shkurtit, ai i quajti të paafta për të sjellë zgjidhje.

“Populli i Kosovës duhet të kërkojë përgjigje e përgjegjësi nga liderët aktualë. Ku po shkon ky vend? Të vetmit me këto përgjigje jemi ne, LDK, në krye me Abdixhikun. Të gjithë të tjerët janë plot premtime boshe dhe zero plane e aq më pak aftësi për të pruar zgjidhje”, u shpreh ai.

Tek ka shpalosur synimet e LDK-së për mbështetjen e planifikuar të sektorit privat, Mustafa premtoi rritje të numrit të inspektorëve të punës.

“Në mënyrë të drejtpërdrejtë do të rrisim edhe numrin në 200 të inspektorëve të punës që do t’u garantojnë këtyre të punësuarve në sektorin privat kushte të dinjitetshme, paga të dinjitetshme dhe siguri të dinjitetshme në këto vende të punës”, u shpreh Mustafa.

Nëpërmjet konferencës që mbajti, Mustafa i sfidoi përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje që të dalin në debate televizive me ata të LDK-së.

“Partia në pushtet, lideri i saj dhe ministrat e saj, janë zhdukur tërësisht. Nuk kanë guxim as të debatojnë me ne. I sfidojmë përsëri, ejani debatojmë, zgjidheni vendin, zgjidheni kohën, zgjidheni gazetarin moderues. Nëse Kurti ka një plan për të ardhmen e Kosovës do të vinte në debat për ta shpalosur e debatuar, por është e qartë pse nuk vjen në debat”, potencoi ai.

Nën udhëheqjen e LDK-së, Mustafa tha se Kosova do të ketë buxhetin e mjaftueshëm për t’i jetësuar të gjitha projektet e programit politik, “Rruga e re”.