Kandidati i Lidhjes Demokratike për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka premtuar rivitalizimin e “Kosovës B”. Këtë zotim, Abdixhiku e ka dhënë nga qyteti i Obiliqit ku ka mbajtur tubimin elektoral. Për këtë qytet ka premtuar mbështetje për ngrohje qendrore dhe përkrahje nga fondi 50 milionësh i paraparë për gjelbërim e pastërti
Me një minutë heshtje për tre fëmijët që vdiqën tragjikisht të shtunën, në Jabllanicë të Gjakovës, e ka nisur tubimin qendror në Obiliq, Lidhja Demokratike e Kosovës të dielën. Në këtë qytet që udhëhiqet nga LDK-ja, kandidati për kryeministër Lumir Abdixhiku, ka dhënë një varg zotimesh. Ka premtuar se do të rivitalizohet edhe termocentrali “Kosova B”.
“Plot 120 milionë euro do të jepen për rivitalizimin e Kosovës B në mënyrë që ajri i ndotur të ndërpritet, në mënyrë që të ketë më shumë punë e më shumë punëtorë për komunitetin tuaj, për qytetarët tuaj. Këtë mbështetje e garantoj unë para juve para popullit para vetë zotit”, është zotua ai.
E para kryetarit të Komunës, Xhafer Gashit, Abdixhiku ka konfirmuar se nën qeverisjen qendrore të tij, ky qytet do të përfitojë ngrohjen qendrore.
“Po Xhafë, pas 9 shkurtit do të keni mbështetjen qendrore për ngrohjen qendrore që e bëni e do ta bëni fillimisht si qytet që e jepni gjithë energjinë për Kosovën. Me prioritet absolut Xhafë, me prioritet absolut”, është shprehur ai.
Obiliqi që përballet vazhdimisht me nivel të lartë të ndotjes së ajrit, Abdixhiku ka thënë se do të përfitojë nga fondi 50 milionësh i paraparë nga programi politik i LDK-së për gjelbërim e pastërti.
“Nga fondi 50 milionësh për gjelbërim e pastërti, Obiliqi pa dyshim do të jetë përfituesi kryesor në vend. E meritoni, sepse na jepni gjithë dritën e Kosovës, do ta keni këtë mbështetje si dritë e ardhme e fëmijëve tuaj, familjeve tuaja dhe qytetarëve të Obiliqit”, ka premtuar ai.
Përkrahësve ua ka renditur disa arsye se pse sipas tij, Lidhja Demokratike duhet t’i fitojë zgjedhjet.
“Pushteti popullist foli për katër vjet, foli me çmime të larta, me paga të ulëta, foli me izolim ndërkombëtar e me zbrazje kombëtare. Pushteti foli me grante familjarëve, foli me shitblerje të energjisë elektrike, me reduktime masive, me mungesë zhvillimi. Mbi të gjitha foli me mungesë vullneti për të ardhmen e me vullnet plot për të pështyrë mbi të shkuarën. Është koha të flasim tani ne, të flasë Lidhja Demokratike dhe populli i Kosovës”, ka thënë ai.
Pretendenti për kryeministër është shprehur se në emër të LDK-së i takon t’i ofrojë e mundësojë Kosovës vizion të qartë për të ardhmen. Ka thënë se do të veprojë në këtë drejtim, duke ua lënë të dobëtëve ankesat.
“Kjo e ardhme përpara nuk është e një shteti me sanksione e nën masa, nën izolim. Nuk është një e ardhme ku shteti ynë i ndërtuar me plot mund e sakrificë, mbahet peng i tekeve të popullistëve nervozë. Kjo e ardhme është e definuar tashmë si fat i popullit të Kosovës të cilin fat na takon ta bëjmë si gjeneratë politike e sotme. Sepse, mos harroni, jemi trashëgimtarë të rezistencës, jemi trashëgimtarë të qëndresës, të djathtë në besim, demokratë në vlerë, rugovistë një herë, rugovistë gjithherë”, ka thënë Abdixhiku.
Ai është shprehur se me fitoren e LDK-së do të fitojë demokracia dhe aleanca me partnerët ndërkombëtarë.
“Në këtë vullnet tonin, në këtë ideal të njëjtë duhet ta kuptojmë se sa e shenjtë është vetë demokracia. Ta kuptojmë se tendencave autokrate për t’u vendosur mbi shtet, mbi kushtetutë, mbi drejtësi, mbi medie e mbi fjalë të lirë, i del në ballë vetëm një forcë politike që ka sjellë edhe lirinë edhe pavarësinë edhe demokracinë, i dalim pra ne, Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë ai.
Ka theksuar po ashtu se me qeverisjen e tij, shteti nuk do t’i shtypë bizneset e as mediet dhe se do të respektohet mendimi ndryshe.
“Në Kosovën tonë, qeveria nuk kërcënon kundërshtarë vetëm se janë ndryshe nga ta. Në Kosovën tonë, shteti kujdeset që të drejtë mendimi e shprehjeje të kenë edhe ata, sidomos ata që nuk pajtohen me ne. Në Kosovën tonë, qeveria nuk mbron të korruptuarit vetëm pse janë me ta. Në Kosovën tonë, hajnia është hajni, korrupsioni është korrupsion”, ka thënë ai.
E paraprakisht në një tubim në Kçiq të Madh të Mitrovicës, Abdixhiku ka thënë se në zgjedhje po futet vetëm për fitore.
“Nuk po shkojmë për vend të dytë, nuk po shkojmë për vende të tjera, jemi duke shkuar veç për fitore dhe asgjë më pak sesa fitorja”, është shprehur Abdixhiku.