Qeverisja e Lidhjes Demokratike do të jetë garanci për përmirësimin e jetesës në Kosovë, ka thënë kandidati i kësaj partie për kryeministër, Lumir Abdixhiku. Gjatë tubimeve elektorale në Istog e Strellc të Epërm të Deçanit, ai është zotuar për investime në shëndetësi, arsim e infrastrukturë. Abdixhiku ka premtuar edhe anëtarësim në BE dhe NATO
Garanci për jetë më të mirë në Kosovë me qeverisjen e Lidhjes Demokratike, ka dhënë kandidati i kësaj partie për kryeministër, Lumir Abdixhiku, gjatë tubimit në Istog të mërkurën.
Abdixhiku ka thënë se do të përmbushë zotimet e tij për investimet miliardëshe, për rritje të buxhetit e rritje ekonomike në Kosovë.
“Unë shpalosi programin politik me 5 miliardë investime me 5 miliardë euro buxhet, 5 për qind rritje ekonomike dhe me këtë ambicie, zotohemi që garantojmë të gjithë bashkërisht jetë më të mirë në Republikën e Kosovës”, është zotuar ai.
Në Istog, Abdixhiku është shprehur se ky qytet do të trajtohet me prioritet gjatë udhëheqjes së tij qendrore.
“Në arsim, në shëndetësi, në infrastrukturë, në turizëm, Istogu juaj, Istogu ynë, do të ketë prioritet absolut qeverisës”, ka deklaruar Abdixhiku.
Kandidati për kryeministër është shprehur i bindur se zgjedhjet e 9 shkurtit do t’ia sjellin fitoren Lidhjes Demokratike, e cila siç ka thënë ai, është edhe “shpresa e parë e edhe e fundit e Kosovës”.
“Kemi pritur gjatë për këto ditë, kemi pritur gjatë për rikthimin tonë të madh dhe ky rikthim tashmë po ndodh dhe s’ka asgjë që e ndal. Po ndodh në një moment kritik për vendin, për familjet tuaja për rininë tonë, për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka theksuar se LDK-ja si parti e djathtë do t’i dalë përballë pushtetit aktual, të cilin e ka quajtur populist e rrënues të çdo gjëje që ka besuar shoqëria kosovare.
“Mes përçarjes së thellë, mes ndarjes së madhe kombëtare, mes urrejtjes frustruese që na ushqehet si zëvendësim i punës, ne duhet të gjejmë te vetja jo vetëm urtësinë politike, jo vetëm thirrjen përbashkuese që e kemi në sjellje, por dhe vullnetin kokëfortë e insistues për t’i dalë të majtës në ballë. Dhe do t’i dalim në ballë kësaj të majte”, ka deklaruar ai.
Tubim elektoral të mërkurën Abdixhiku ka mbajtur edhe në Strellc të Epërm të Deçanit, ku ka premtuar mirëmbajtje të marrëdhënieve me partnerët si dhe anëtarësim në BE dhe NATO.
“E kemi të qartë nevojën e madhe për ndryshim rrënjësor. Ndryshim në mënyrën se si bëjmë politikë, ndryshim në mënyrën se si bëjmë projekte, në mënyrën se si kujdesemi për njerëzit tanë e mbi të gjitha, mënyrën se si e drejtojmë vendin drejt stacionit tonë përfundimtar euroatlantik, aty ku është synimi ynë i vërtetë. Si pasardhës politik i presidentit Ibrahim Rugova unë dhe ju e kemi një mision që është anëtarësimi i Kosovës në BE e NATO dhe mbajtjes në miqësi të përhershme me SHBA-në”, është shprehur ai.
E kandidati për deputet nga dega e Deçanit, Jeton Mushkolaj, ka dhënë disa zotime që sipas tij, do t’i përmbushë qeverisja e LDK-së.
“Strellci nuk do të ketë më 1 orë në ditë ujë por do të ketë 24 orë në ditë. Do ta ketë kanalizimin e ujërave të zeza në fshatrat e tjera përreth. Projektin tjetër që e garantojmë është rishikimi i rrugës në Bjeshkët e Strellcit. Së bashku me kryeministrin në ardhje do ta rishikojmë këtë rrugë”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka shpërndarë edhe një mesazh mbështetës që ka marrë nga presidenti i Partive Popullore Evropiane, Manfred Weber. Ai ka thënë se zgjedhjet e 9 shkurtit janë zgjedhje mes stagnimit dhe progresit.
“Kjo e diel është vendim për udhëheqjen që e meriton Kosova. Dhe, është vetëm një lider që i ka dy veti, vizionin dhe integritetin për ta udhëhequr Kosovën drejt një të ardhmeje më të mirë. Dhe ky është miku dhe partneri ynë për një kohë të gjatë, Lumiri. Lumiri nuk është një politikan që flet me slogane të zbrazëta. Ai është një lider që e kupton peshën e përgjegjësisë, që e di se të udhëheqësh do të thotë të punosh fort”, është shprehur Weber.
Kandidati i LDK-së për kryeministër ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në tubimin përmbyllës të shtunën në Prishtinë, që siç ka thënë, do t’i prijë fitores së LDK-së në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.