Arbëri

Abdixhiku premton heqjen e barrierave për bizneset e furnizim të mjaftueshëm me rrymë

Politika të përshtatshme për ndërmarrësit e furnizim të mjaftueshëm me rrymë ka premtuar kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku gjatë vizitës që u bëri bizneseve në Pejë. Abdixhiku tha se 5 miliardë euro investime të parapara do të bëhen bashkë me ndërmarrësit dhe edhe për ta. E në Deçan tha se zgjedhjet e 9 shkurtit e përcaktojnë të ardhmen e Kosovës

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, në ditën e shtatë të fushatës zgjedhore, defiloi me bashkëpunëtorë në çarshinë e Pejës, komunë të cilën prej vjetësh e udhëheq LDK-ja. Rrugës iu bashkuan simpatizantë edhe prej atyre më të vjetër e tradicionalë të zonës. Pos marshit nëpër qytet, Abdixhiku vizitoi edhe biznese të kësaj komune. Iu ankuan për rrymë e për taksa. Ndërkaq Abdixhiku u premtoi zgjidhje.

“Pamë nga afër edhe problemet bazike që i kanë e siç është edhe mungesa e energjisë elektrike. Tani një biznes kosovar në vitin 2025, të ketë reduktime, mungesë të energjisë elektrike, kjo është vërtet paradoks i kohës. Dhe, si qeveri e ardhshme kemi paraparë jo vetëm ndihmesën për regjione te caktuara brenda komunave tona ku ka zhvillim, por edhe ndihmesën në nivel nacional në prodhimin e energjisë elektrike me gaz me centralin me gaz amerikan”, ka deklaruar Abdixhiku.

Sipas programit politik të LDK-së, centrali i premtuar parasheh sigurimin e energjisë bazë dhe për balancimin e sistemit duke mundësuar tranzicionin nga linjiti drejt burimeve të ripërtëritshme të gjenerimit të energjisë. Gjithashtu përmendet se do të përdoret edhe për nevoja momentale të furnizimit me energji elektrike e edhe për nevoja të balancimit të sistemit të furnizimit me energji elektrike. Ky central parashihet të vendoset mes Ferizajt, Kaçanikut apo Hanit të Elezit.

Abdixhiku duke folur për bizneset, tha se ato janë partnere të shtetit dhe se nuk duhet të shihen ndryshe.

“Qeveritë duhet t’i shohin bizneset si partnere dhe nëpërmjet tyre të zhvillojnë edhe ekonominë e Kosovës. Ky është qëllimi sot si parti e qendrës së djathtë. Ne besojmë te ndërmarrësit, i mbështesim ndërmarrësit. Do të krijojmë politika për ndërmarrësit dhe ato 5 miliardë euro investime që i kemi paraparë do të bëhen edhe me ndërmarrës dhe për ndërmarrës”, shtoi ai.

E, pas Pejës, Abdixhiku mbajti tubimin elektoral në Deçan. I udhëzoi ta votojnë LDK-në, pasi tha se me 9 shkurt përcaktohet e ardhmja e shtetit.

“Këto zgjedhje nuk bëhen vetëm për të përcaktuar një kryeministër të ardhshëm të Kosovës, por para së gjithash bëhen për të përcaktuar të ardhmen e Kosovës. Si një shtet në zhvillim, me njerëz që bëjnë jetën këtu, si një shtet të hapur në procesin e rrjedhave botërore, dhe jo si një vend i zymtë, i propagandës, përçarjes, mbylljes e sanksioneve, ekonomike e politike”.

Para tyre ai premtoi rritje të buxhetit, të investimeve e rritje ekonomike.

“Ne nuk duam të ankohemi, ne duam të punojmë. Të punojmë fort e me përkushtim, me dije e duke dhënë përgjegjësi përpara jush. Prandaj, në programin tonë politik, kemi 5 miliardë euro investime, me 5 miliardë euro buxhet e me 5% rritje ekonomike”, ka thënë ai.

Nga Deçani, LDK-ja u nis për në Junik për tubimin tjetër me qytetarë e simpatizantë. Aty kandidati i LDK-së tha se e mori vulën e fitores. Junikasve u premtoi investime në turizëm e investime në infrastrukturën e qytetit.

“Sikurse Gjeravica, edhe LDK-ja do të ngrihet aty ku e ka vendin. Populli i Kosovës është bërë i pandashëm deri më 9 shkurt. Këtë LDK që e keni kërkuar, tashmë e keni, prandaj ruajeni dhe duajeni dhe mbrojeni si të tillë, sepse është siç ka lindur 35 vjet më parë. Do të rregullojmë shtratin Erenik, rregullimin e sheshit dhe rregullimin e varrezave si dhe investime në turizëm. Përmes këtij programi, garantojmë jetë të mirë në Kosovë”, u zotua Abdixhiku.

Mbrëmjen e së premtes, Abdixhiku u kthye sërish në Pejë në një nga fshatrat e kësaj Komune për të mbajtur takim me banorët e për t’ua shpalosur programin politik.