Arbëri

Abdixhiku premton 80 milionë euro investime në Brezovicë

Lumir Abdixhiku ne Brezovice

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike, Lumir Abdixhiku, nga Brezovica e ka shpalosur planin për zhvillimin e qendrës së skijimit në këtë vend. Ka premtuar investime në vlerë të 80 milionë eurove. Investimet në Brezovicë, mes tjerash tha se përfshijnë edhe ndërtimin e teleferikëve të rinj. E në Ferizaj, Abdixhiku ka premtuar ndërtimin e centralit me gaz amerikan

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka premtuar investim 80 milionësh në qendrën e skijimit në Brezovicë. 

Gjatë prezantimit të planit që e bëri nga ky vend, të hënën, Abdixhiku ka thënë se zhvillimi i qendrës së skijimit në Brezovicës, është prioritet kombëtar.

“Pra kjo është shuma që do të dedikohet të ndahet për Brezovicë, 80 milionë euro, që besoj e transformojnë rrënjësisht infrastrukturën bazike të Brezovicës, duke i dhënë hapësirë edhe sektorit privat më pas të investojë në këto bjeshkë të mira”, ka thënë ai.

Abdixhiku është shprehur se investimi synohet të bëhet në disa fusha, për çka më pas tha se do t’u hapet udhë edhe investimeve private.

“Çka është më e rëndësishme, është që këtu më pas vjen investimi i sektorit privat. Në këtë pjesë shteti nuk përzihet. Shteti kujdeset që të bëjë kondolat, të bëjë shtigjet e reja, të kontraktojë mirëmbajtjen dhe të bëjë teleferikët e rinj duke larguar hekurinat e vjetra 50 vjeçare. E, më pas sektori privat duhet të vijë me propozime konkrete për qendrën e re hotelerike komerciale të akomodimit të mijëra njerëzve”, ka deklaruar Abdixhiku.

Programi politik i LDK-së “Rruga e Re”, parasheh që pjesa më e madhe e mjeteve të sigurohet nga sektori privat, nëpërmjet Partneritetit Publiko-Privat. Në të theksohet se pas aranzhimeve financiare, rreth 25% e pronësisë në këtë qendër do të mbetet në pronësi publike.

Pas Brezovicës, kandidati për kryeministër me bashkëpunëtorët, ka mbajtur tubim edhe në qytetin e Ferizajt. Aty ai bashkë me kandidatin për deputet nga kjo komunë, Visar Azemi, kanë premtuar central me gaz amerikan për të krijuar stabilitet në furnizimin me energji elektrike.

“Ferizaj do ta ketë centralin me gaz, me gaz amerikan. Ferizaj i lënë në terr nga ky pushtet do ti japë dritë Kosovës me qeverisjen e kryeministrit Abdixhiku. Kam dëgjuar me veshët e mi që administrata do ta shtyjë këtë projekt përpara”, është shprehur Azemi.

Këtë e konfirmoi edhe kandidati për kryeministër tek tha se me këtë investim, synohet që Ferizaj të bëhet kryeqytet i energjisë.

“Po, Visar për Ferizajn e kemi termocentralin me gaz, termocentral me gaz amerikan në mënyrë që Ferizaj të jetë kryeqytet i energjisë së Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

Me gjithë premtimet, në programin e LDK-së thuhet se lokacioni për ndërtimin e këtij centrali, do të përcaktohet pas studimit të fizibilitetit, me mundësi serioze të vendosjes në Han të Elezit, Kaçanik apo Ferizaj. Kapaciteti i tij synohet të jetë 500 MË. Çmimi i ndërtimit të centralit vlerësohet të jetë rreth 500 milionë euro, ndërkaq, periudha e ndërtimit parashihet të zgjasë deri në 5 vjet. Paratë e nevojshme për investim synohet të sigurohen nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Në Ferizaj, Abdixhiku ka thënë se me qeverisjen e tij, shteti i Kosovës do të jetë partner i sektorit privat.

“Për të gjitha bizneset e Ferizajt, për familjet punëtore, për ndërmarrësit tanë, më 9 shkurt ju vjen shteti si partner jo si frikë, nuk kemi me kërcënime për bizneset kosovare nuk kemi urrejtje për sektoriun privat, qeveria e djtahtë e ldk do të jetë me ju pas 9 shkurtiti secilën ditë. Brnegat tuaja janë brengat tona. Përparimi juaj është përparim i Kosovës, mirëqenia juaj është mirëqenie e popullit të Kosovës”, ka thënë lideri i LDK-së.

Në këtë komunë, Abdixhiku ka përsëritur edhe planet e tij për rritje të pagave në sektorin publik me koeficient 150 euro e implementim të mësimit tërëditor.

Gjatë së hënës, Lidhja Demokratike ka mbajtur edhe një konferencë për media.

Kandidati për deputet, Besian Mustafa, ka kërkuar nga qytetarët mbështetjen e Lidhjes Demokratike duke u shprehur se duhet të bëhet e pamundura që edhe për katër vjet, sipas tij, të mos durohet një tjetër keqqeverisje e partisë në pushtet.

“Ndryshojeni atë për një udhëheqës që e di saktësisht se çfarë duhet bërë për të ardhmen e Kosovës. Ndryshojeni atë për një parti që ka pafundësisht ekipin më të mirë, ekspertët më të mirë, gratë dhe rininë më të mirë që do të sjellin ndryshimin në Kosovë. Ne do të punojmë e do të ecim përpara me gjithë fuqinë tonë në dy javët e ardhshme. Ju lutemi që edhe ju të bëni të njëjtën gjë. Së bashku do të sjellim ndryshimin”, është shprehur Mustafa.