Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka premtuar 360 milionë euro për ndërtimin e unazës e jashtme të Prishtinës, në emër të shkarkimit të trafikut të dendur. Në tubimin e mbajtur në Degën e Katërt të partisë, Abdixhiku është zotuar për investim 100 milionë eurosh në kulturë, teksa ka premtuar 120 milionë euro për sportin e 200 milionë euro për zbatimin e mësimit tërëditor në të gjitha shkollat e Prishtinës
360 milionë euro investim për ndërtimin e unazës së jashtme të Prishtinës i ka premtuar të enjten kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku.
Në tubimin e mbajtur në Degën e Katërt të partisë në Prishtinë, Abdixhiku ka thënë se qëllimi i ndërtimit të kësaj unaze është shkarkimi i kryeqytetit nga trafiku i dendur. Ky investim milionësh në infrastrukturë është vetëm një prej projekteve në vlerë prej 1.5 miliardë eurosh, të cilat janë paraparë me programin e LDK-së për Prishtinën.
“Që në muajt e parë të qeverisë sonë, për të zgjidhur problemin me trafikun në Prishtinë, kemi paraparë dhënien e garancisë për ndërtimin e unazës së kryeqytetit. 29 kilometra unazë e jashtme e kryeqytetit, në mënyrë që tollovia e brendshme, e krijuar, e ngarkuar nga e gjithë Kosova të marrë fund. 360 milionë euro për unazën e jashtme të Prishtinës, projektin më të madh kapital në historinë e Prishtinës”, ka thënë Abdixhiku.
Për kryeqytetin, kandidati i LDK-së për kryeministër ka premtuar edhe 200 milionë euro investim në emër të zbatimit të mësimit tërëditor në të gjitha shkollat e Prishtinës. Në mesin e zotimeve ai ka numëruar edhe atë për përkujdesjen qeveritare për fëmijë dhe nxënës.
E gjatë tubimit Abdixhiku i është referuar një deklarate të kundërkandidatit të tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në një tubim elektoral ka shpjeguar se përse simpatizantët e thërrisnin “Albin baba”.
“S’jam këtu t’ju them se fëmijët tuaj do t’ua rris unë. I kam dy të mitë, më mjaftojnë. Jam këtu t’ju them se shteti i Kosovës do të bëjë shkolla me mësim tërëditor e në ato shkolla fëmijët tanë do të bëjnë mësim tërëditor. Fëmijë të mençur, të barabartë me fëmijët në Evropë”, është shprehur Abdixhiku.
Në kuadër të investimeve të parapara në Bërnicë, Abdixhiku ka thënë se si kryeministër do të ndajë 120 milionë për sportin në kryeqytet. Ky projekt, sipas programit të LDK-së “Rruga e re”, parashihet që të nisë së ndërtuari në vitin e dytë të qeverisjes.
“Në Bërnicë do të ndërtojmë qendrën më të madhe sportive. Stadiumi i ri kombëtar, pallati i sporteve me dorë, pishinat olimpike, fakulteti i edukatës fizike, pra një kompleks i madh sportiv në Prishtinë”, është zotuar ai.
E, investim 100 milionë eurosh ka premtuar në fushën e kulturës.
“Në kulturë kemi paraparë 100 milionë euro investime me Teatrin e Operës dhe Baletit ‘Ibrahim Rugova’, me Teatrin e ri kombëtar, me Muzeun e paqes dhe rezistencës dhe me Muzeun e arteve të reja bashkëkohore. Pikërisht në rrugët e juaja, të lagjeve tuaja në këto rrugë ku jetojmë sot, kjo qendër do të bëhet qendër kulturore e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka theksuar po ashtu se partia që ai e udhëheq e ka potencialin që vetëm me kuadrot e një dege të saj të krijojë një qeveri të Kosovës.
“Aq të mirë e kemi ekipin, sa më besoni, vetëm nga Dega e Katërt mund të bëjmë një qeveri të ardhshme të Kosovës. Vetëm në një degë”, është shprehur ai.
Abdixhiku ka premtuar të enjten edhe ndërtimin e spitalit të ri në Prishtinë, me investim prej 500 milionë eurosh.
“Në planin tonë e kemi ndërmend ta ndërtojmë spitalin e ri me 500 milionë euro investim këtu në Prishtinë. Spital i ri, 150 mijë metra katrorë, 38 klinika, kushte moderne për secilin qytetar në Kosovë, për të gjithë ata që kanë nevojë”, ka premtuar ai.
Kandidati i LDK-së për kryeministër është edhe për rritje të pagave dhe të pensioneve.
Në tubimin e së enjtes në Prishtinë, Abdixhiku u ka kërkuar banorëve të kryeqytetit që ta mbështesin LDK-në drejt fitores në të gjithë Kosovën.
“Ky shtet është nën sanksione, ky shtet është nën masa, ky shtet është nën izolim, prandaj të djathtë, mbështetës të LDK-së, rugovistë të qëndrueshëm të të gjitha kohërave, ky është momenti ynë tani”, ka theksuar ai.
Aktivitetet në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit LDK-ja të enjten i ka vazhduar edhe në Podujevë, ku ka mbajtur takime me banorët e fshatrave Kërpimeh dhe Sibovc.