Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, reagoi për nisjen e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë, duke thënë se Komuna dha përgjigje “dinjitoze bllokuesve të punës”.
Ai ka shkruar në Facebook të hënën se inspektorët “partiakë e idhnakë diku në një ministri vendosën të bllokojnë një kryeqytet të tërë”. Sipas Abdixhikut, punimet në Prishtinë nuk do të ndalen.
“Sot, Komuna e Prishtinës, i dha përgjigje dinjitoze bllokuesve të punës. Vazhdoj me punë! Një Komision, diku në një Ministri, me një a dy inspektorë partiak e idhnakë, vendosë të bllokojë një Kryeqytet të tanë, me arsyet e mbrojtjes së trashëgimisë. Trashëgimi ky asfallt gërmadhë?! Punimet vazhduan! Nuk do të ndalen! Ai që ka mend punën nuk ndalet. Prishtina, nuk ndalet!”, ka shkruar kreu i LDK-së.
Abdixhiku ka shtuar se për tri vjet ka pasur bllokadë në vazhdimësi në kryeqytet.
“Të paaftit dinë vetëm bllokadë! Për tre vite rresht kanë bllokuar në vazhdimësi Sheshin George Bush për një trashëgimi, mbikalimin në Dragodan po ashtu për trashëgimi; nënkalimin te Kuvendi sërish dhe natyrisht për trashëgimi. Kanë bllokuar Rrugën A për një rast të humbur në fund në gjykatë; Unazën e Jashtme me mos aprovim të një kredie pothuajse falë; Planin Zhvillimor Komunal me interesa të përçudnuara bizneso-partiake, e tatimet vetanake me ligje anti-kushtetuese!”, ka shtuar ai, derisa tha se “duhesh të jesh vërtet i mbrapshtë për një sjellje të tillë”.
“Duhesh të urresh shumë një qytet të tërë për ta bllokuar kaq shumë! Prishtina do të fitojë. Edhe tash, edhe në vjeshtë! Puna le të vazhdojë! Puna, do të vazhdojë! Kjo gërmadhë shpejtë do të shndërrohet në një ndër sheshet më ikonike në vend!”, ka thënë ai.
Komuna e Prishtinës të hënën ka rinisur punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, pavarësisht ndalimit që i është bërë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.
Prezent në nisjen e punimeve ka qenë kryetari i Prishtinës Përparim Rama, zyrtarë të Inspektoratit Komunal, e zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Punimet në “Xhorxh Bush”, janë ndaluar dy herë radhazi.
Projekti i Komunës që peshon 18.4 milionë euro, nuk është miratuar nga organet e trashëgimisë kulturore.
Punimet janë ndaluar dy herë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, përderisa Komunës i është kërkuar që lënda për pajisje me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) të plotësohet.
Pika kryesore e mosmiratimit janë edhe ndërtesat e reja që parashihen me projekt.