Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se arrestimi i sontëm i kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, është shije e një hakmarrjeje të pastër politike.
Abdixhiku thotë se arrestimi i dhunshëm i Molliqajt është i papranueshëm për partinë e tij dhe kundër standardeve bazike të demokracisë.
“Kurti dhe Qeveria e tij nuk guxojnë të përdorin pushtetin policor për kërcënime e arrestime politike; sidomos kur për alternativë kanë ndjekjen normale e njerëzore të rrugëve procedurale sipas rregullave tashmë të njohura. I bëjë ftesë organeve të rendit të ruajnë integritetin e tyre profesional e të pavarur dhe të mos bëhen pjesë e këtij teatri politik të një Qeverie paranoike”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Reagime për arrestimin e Molliqajt pati edhe nga deputeti Behxhet Pacolli që tha se një arrestim i tillë “është lajm i keq për demokracinë".
Ndërsa, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Policia e Kosovës dhe Prokuroria i ka procedurat e parapara për këto raste nëse ka shkelje të ligjit.
“Policia e Kosovës dhe Prokuroria i ka procedurat e parapara për këto raste nëse ka shkelje të ligjit, mendoj se nuk kanë mund ta arrestojnë, por kanë mund ta dërgojnë një ftesë. Çështja e arrestimit është pak e çuditshme për mua. Kauza e protestës ishte mjaft e drejtë për rritjen e shtrenjtimit të rrymë”, tha Haradinaj në RTK.
Molliqaj u arrestua sonte për shkak goditi me shuplakë një polic gjatë protestës të së shtunës kundër shtrenjtimit të rrymës, të thirrur nga partia që e udhëheq.