Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, derisa ka reaguar për letrën e kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni drejtuar kryeministrit Albin Kurti, e ka akuzuar këtë të fundit për “dështim spektakular”, “turpërim ndërkombëtar” dhe “dëm historik”.
Abdixhiku ka thënë se prej gabimeve të qeverisjes aktuale, Republika e Kosovës mbeti e humbur, e turpëruar dhe sërish e kushtëzuar rëndë.
“Letra e tre aleatëve të pavarësisë dhe rrugëtimit tonë shtetar, nuk ekspozon thjesht një Kryeministër populist që manipulon me ndjenjat nacionale në dëm të interesave shtetare. Ajo e ekspozon Kosovën si një shtet që nuk di të jetë serioz në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai tutje ka thënë se shteti i Kosovës dhe qytetarët nuk ua kanë borxh të ardhmen “një njeriu që luan me detyrimet e shtetësisë e që rrënon reputacionin e shtetit të Kosovës kaq keq”.
“Duke i trajtuar partnerët si militantë, diplomacinë si kafehane e Kosovën si fushë mbjellje e korrjeje të votave momentale në dëm të prodhimeve të duhura ndërkombëtare, ne po shndërrohemi në një vend të zymtë dhe pa perspektivë”, ka shtuar ai.
Kryetari i LDK-së më tej ka e ka akuzuar Kurtin për heqje dorë nga rrugëtimi euroatlantik, gjë të cilën e ka quajtur tragjedi.
“Dhe këtë heqje dore duhet ta parandalojmë si popull, si shtet si gjeneratë e ardhmja e së cilës po merret peng nga një njeri. Prandaj populistët duhet të përballen me dështimet e tyre kapitale, me humbjen e madhe kombëtare! Dorëheqja, më pas shpërndarja, në fund zgjedhjet dhe fitorja e politikës normale”, ka shkruar ai.