Arbëri

Abdixhiku në Gjakovë premton se rruga Dollc-Gjakovë kryhet për ca ditë

Rruga Dollc-Gjakovë e nisur prej vjetësh, do të përfundojë brenda ditësh nën qeverisjen qendrore të LDK-së, ka premtuar kandidati i kësaj partie për kryeministër, Lumir Abdixhiku, në tubimin elektoral në Gjakovë, të mërkurën.

Se do t’i qëndrojë pas këtij premtimi, Abdixhiku mori shembull përfundimin e punimeve për një muaj në Veternik të Prishtinës, në kohën sa ishte ministër i Infrastrukturës.

“Rruga Dollc-Gjakovë duhet të përfundojë sa më parë, sa më shpejt. Dhe, do të përfundojë sa më parë, sa më shpejt. Do të jem në terren personalisht që në javët e para të qeverisë së re, të shoh se si po shkojnë këto punime. Kur jam zotuar për 30 ditë të bëj një punë, do të zotohem edhe këtu për disa ditë të përfundojë kjo punë”, ka thënë Abdixhiku.

Pos kësaj rruge, dha zotime edhe për projekte të tjera infrastrukturore në këtë komunë. 

“Ashtu siç është historiku kulturor “Gjakova jonë”, ashtu do ta trajtojmë çarshinë e madhe e të bukur të qytetit tuaj.. Rruga nga Kosharja në Bjeshkë të Botushës, të Babajt e të Bogës deri në bjeshkë të Brovinës, do të përfundohet me mbështetje të Qeverisë qendrore”, ka shtuar ai.

Për sportdashësit e këtij qyteti premtoi një stadium.

“Stadiumin e Gjakovës do ta keni të plotë kategoria e 4 e UEFA-s, 7000 ulëse”, ka thënë kandidati për kryeministër i LDK-së.

Programi qeverisës i LDK-së, “Rruga e re”, sipas Abdixhikut, ka politika për ta ndaluar ikjen e të rinjve me investime konkrete në të ardhmen e tyre.

Vota për LDK-në, tha se do të jetë shpresë për prindërit e rinj që e kanë hall rritjen e fëmijëve në Kosovën e tanishme.

“Pushteti popullist u jep atyre vizatime e grafikone, u jep leksione se vështirësitë e tyre s’janë të vërteta. Them Gjakovë, është koha tu jepni përgjigje meritore, është koha t’ua hapni sytë që i kanë mbyllur tash e katër vjet. T’ua hapim këta sy fort, le ta shohin të vërtetën e qytetarëve tanë me sytë e juaj”, ka deklaruar ai. 

Tek kërkoi besimin në Gjakovë, Abdixhiku u shpreh se Qeveria e LDK-së do të ketë kujdes për të gjitha kategoritë e shoqërisë.

“Është koha të zgjidhni edhe për ushtarët e policët që ia dalin vetë në përballje me terroristë por nuk ia dalin dot në përballje me përditshmëri”, është shprehur Abdixhiku.

E kandidati për deputet nga kjo komunë, Shefqet Shehu, betimin për shërbim ndaj bashkëvendësve të tij, e përmblodhi në disa vargje.

“Gjakovë të dua me krejt çka je, Gjakovë të dua me krejt çka ke, Gjakovë do të shërbej me krejt çka jam, Gjakovë do të shërbej me krejt çka kam”, ka theksuar Shehu.

Paraprakisht, Abdixhiku të mërkurën takoi edhe banorët e Irzniqit të Deçanit ku premtoi rritje pagash, të cilën e quajti patriotizëm modern.