Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se sikur shqiptarët të bëheshin bashkë, me një kandidat, në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, ata do të ishin në balotazh tani.
“Do të ishte rezultat historik. Por shqiptarët u ndanë”, ka shkruar ai në Facebook, duke e akuzuar kryeministrin e Kosovës se pati rol në ndarjen e shqiptarëve atje.
Abdixhiku ka shkruar se Kosova duhet t’i rikthehet politikës unifikuese mbarëshqiptare dhe se “kaq duhet të jetë roli ynë normal”. Ai është shprehur se institucionet e vendit kanë përçarë shqiptarët në Maqedoni.
“Në këtë ndarje, Kryeministri popullist i Kosovës dhe gjithë aparati qeveritar i tij, u bënë akter aktiv. Nga zyra e Kryeministrisë, Kosova, institucionet e Republikës, në vend të përpjekjes për përbashkim, bënë atë që dijnë të bëjnë mirë - të përçajnë e ndajnë! Bënë fushatë, bënë propagandë, ndotën njërin kandidat, për të përfunduar megjithatë në fund me rezultat katastrofal”, ka thënë ai tutje.
Abdixhiku ka përçuar edhe një mesazh për ata që mbështetën koalicionin e partive shqiptare që humbi kundrejt kandidatit të BDI-së, Bujar Osmani. Ka thënë se “humbësit” duhet të shikojnë përfaqësuesit e vet “që u shndërruan në instrumente populliste të një partie polarizuese që përveç terr e përplasje - nuk di tjetër”.
“Të ndihmojmë jo të ndajmë. Rikuperimin e përplasjeve me shqiptarët në Maqedoni, Shqipëri e Luginë, do ta bëjmë me plot kujdes e përkushtim!” ka përfunduar Abdixhiku.