“Republika e Kosovës udhëhiqet sot nga mosbesues të saj. Ajo është peng i populizmit, arrogancës së pushtetit dhe i kompetencës qeverisëse. Jeta e qytetarëve tanë nuk ka qenë asnjëherë më e pasigurt, siç është e pasigurt edhe e ardhmja integruese evropiane e Kosovës”, ka thënë Abdixhiku në hapje të Konventës së LDK-së
Kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë që ai e drejton ka adresuar të premten kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në hapje të Konventës së punës së kësaj partie. Ai ka thënë se ka mungesë guximi për vendimmarrje nga Ekzekutivi e kjo, sipas tij, bën që e ardhmja evropiane e Kosovës dhe e qytetarëve të saj të jetë më e pasigurt se ndonjëherë më parë.
“Republika e Kosovës udhëhiqet sot nga mosbesues të saj. Ajo është peng i populizmit, arrogancës së pushtetit dhe i kompetencës qeverisëse. Jeta e qytetarëve tanë nuk ka qenë asnjëherë më e pasigurt, siç është e pasigurt edhe e ardhmja integruese evropiane e Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka theksuar se qasja e Qeverisë dhe mungesa e guximit kanë bërë që t’i jepet hapësirë Serbisë në avancimin e agjendave të saj dhe minimin e atyre të Kosovës.
“Kjo qeveri populiste as nuk ka vizion e as nuk ka ide se si do ta përmbyllë procesin e dialogut në krahë me aleatët tanë ndërkombëtarë. Ajo nuk po tregon vullnetin që të udhëtojë së bashku me partnerët tanë, në njërën anë, e të mbrojë integritetin, sovranin dhe rendin kushtetues të Kosovës, në anën tjetër”, ka thënë Abdixhiku. “Ne duhet të shfrytëzojmë momentin e ri historik të unifikimit perëndimor për të mbyllur çështjet tona integruese dhe dialogun për njohje të ndërsjellë si mjet i realizimit të këtij integrimi ta përfundojmë”.
Kryetari i LDK-së ka konstatuar se Qeveria e ka braktisur dialogun.
“Me këtë braktisen edhe interesat e Kosovës sepse sot, që ta kemi të qartë, nuk ka gjë më të dëmshme sesa ‘status quo’ integruese e Kosovës, mbetja jonë në vend në kohë të tërmeteve politike e pozitive në kontinent është regres”, ka thënë ai.
Gjatë punimeve në ditën e parë të Konventës, ai ka folur edhe për të ardhmen e LDK-së. Po kështu, ka bërë të ditur se në të do të hartohet programi ideologjik e qeverisës i LDK-së.
Ndërkaq Arben Gashi, shef i Grupit parlamentar të LDK-së, ka thënë se në konventë do të ridefinohet e ardhmja e partisë.
“Ne ramë pothuajse në dakordësi me të gjithë panelistët se LDK-ja e sotme është trashëgimtare e dinjitetshme e 30 vjetëve të fundit, por duhet të ridefinojmë strukturën, duhet të ridefinojmë programin dhe duhet të përcaktojmë po ashtu idetë”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, puna do të vazhdohet edhe në muajt vijues, në mënyrë që të përfundojë programi politik e qeverisës i LDK-së.
Punimet e Konventës Programore të LDK-së me moton “Lidhja për të ardhmen” do të vazhdojnë edhe të shtunën.