Arbëri

Abdixhiku kërkon dorëheqjen e Kurtit: Ka dështuar në të gjitha fushat

Albin Kurti - Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti si e vetmja rrugë për zgjedhje të parakohshme.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së të martën, Abdixhiku ka thënë se Qeveria e drejtuar prej Kurtit ka çuar në shkatërrimin e vendit.

"Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë si përgjegjëse e vetme e rrënimit të shtetësisë, rrënimit të pjesës ekonomike dhe egzotit të popullsisë. Fillimisht dorëheqja më pas shpërndarja e në fund zgjedhjet. Ky është qëndrimi i LDK - së", ka thënë Abdixhiku. 

Kërkesë të njëjtë ka edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por dorëheqjen nuk po e konsideron si opsion kryeministri Kurti. Ai ka mbështetur idenë e shpërndarjes së Kuvendit si rrugë për zgjedhje të reja. Partia Demokratike e Kosovës është pajtuar me shpërndarjen e Kuvendit.

Ai po ashtu tha se qëllimi i këtij tubimi është e ardhmja e Kosovës, e cila sipas Abdixhikut në kushtet e tanishme është e zymtë.

"Jemi mbledhur sot këtu në mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm, jemi bërë bashkë jo si përfaqësues më të lartë të kësaj demokracie, por si veprimtarë dhe veprimtare të dedikuar për vendin tonë të bashkuar për të ardhmen e përbashkët. E ardhmja sot duket e zymtë, e trishtë. Ajo thërret për angazhimin tonë momental si garantues të vetëm të shtetësisë të dedikuar për vendin tonë të përbashkët", është shprehur ai.

Sipas Adixhikut, Qeveria Kurti nuk ka arritur zgjidhjen e problemeve në asnjë fushë e sidomos në atë ndërkombëtar, duke i quajtur, siç është shprehur ai, si “të paaftë”.

"Tani rrugëtimi euroatlantik, zhvillimi ekonomik nuk kanë gjasë siç u pa tash e tri vite e gjysmë me këtë pushtet populist e majtist. Për popullin e Kosovës janë të mjaftueshme tri vite për të kuptuar jo vetëm mënyrën e bërjes politikë por edhe aftësinë, përkatësisht paaftësinë fondamentale për moszgjidhjen e problemeve sidomos atyre nacionale" tha Abdixhiku.

Sipas kryetarit të LDK-së, tash e tri vite Kosova është duke e përjetuar një dështim të madh e cila vjen si pasojë e keqqeverisjes së partisë së Vetëvendosjes.

“Sot na duhet të reflektojmë për të ardhmen sepse ajo na vjen si projeksion i këtyre tri viteve, i një dështimi spektakular në ekonomi, mirëqenie, arsim, shëndetësi, diplomaci dhe në vetë orientimin tonë euroatlantik. Pra si rrezik para së cilit duhet të qëndrojmë përgjegjës si gjeneratë politike, si popull dhe si shoqëri. Tre vite e gjysmë më parë populli i Kosovës i dha këtij pushteti besim të plotë pa shoq politik, i dha shumicën e pa kontestueshme parlamentare dhe të drejtën e marrjes së vendimeve vetë. Me këtë shumicë i dha të gjitha përparësitë e një shteti stabil me fuqi politike si asnjë pushteti më parë”, tha ai.

Abdixhiku gjithashtu tregoi edhe për hapat që do t’i ndërmerr kjo parti në vazhdim nëse vijnë në pushtet. 

LDK nuk hyn në koalicion parazgjedhor me asnjë parti

E, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, është shprehur se LDK- ja do të hyjë si e vetme në zgjedhje.

“LDK-ja nuk planifikon të hyj në koalicion parazgjedhor me asnjë nga partitë parlamentare aktuale në Kuvendin e Kosovës”, ka përfunduar ai./KP