Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia në pushtet duhet ta caktojë datën e zgjedhjeve, “e LDK-ja do ta caktojë vetë festën”, duke i akuzuar partitë opozitare që janë instrumentalizuar me Qeverinë.
Abdixhiku ka thënë në 34-vjetorin e themelimit të LDK-së në Ferizaj se Qeveria Kurti ka kërkuar takim me opozitën “pasi ka izoluar Kosovën, ka pranuar autonominë e ka dështuar në anëtarësim e njohje”.
“Pasi kanë mbytur ekonominë, pasi kanë shpenzuar tri vite e gjysmë në ankesa mbi të shkuarën, pa dhënë një projekt të vetëm kapital, pasi kanë izoluar Kosovën, kanë pranuar autonominë, pasi kanë dështuar në anëtarësime e në njohje, pasi humbën betejën në Këshill të Evropës, si rast historik e hap kapital të Republikës, pasi ndanë e përçanë ofenduan e propaganduan në nivelet më të ulëta njerëzore e politike, popullistët kërkojnë tani takim! Takim për zgjedhje, por jo dorëheqje! Takim për ndarje të fajësisë mes partive, por jo marrje të përgjegjësisë! Instrumentalizmi i opozitës është qëllimi i tyre, Në këtë instrumentalizim ata kanë gjetur dhe aleatë! Por nuk do të gjejnë Lidhjen Demokratike të Kosovës... Prandaj, ju them dy-tre fjalë: Ju caktojeni! Ne do ta caktojmë vetë festën”, ka thënë kryetari i LDK-së, shkroi KSP.
Ai ka thënë se zgjidhja e vetme është dorëheqja e kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se Kosova do ta ketë kusht themelimin e Asociacionit “derisa populistët zgjedhin rrugën e përplasjes me aleatët”.
Abdixhiku ka theksuar se masat e Bashkimit Evropian (BE) janë shtuar dhe Kosova është refuzuar “në familjen euroatlantike”.
“Sot, masat e BE-së, e vendeve më mike të Kosovës, u janë shtuar kriteret e reja, përkatësisht autonomia si ‘pokrainë’ e serbëve në Kosovë, parakusht i anëtarësimit në Këshill të Evropës. Ky kusht do të jetë aty, përderisa popullistët zgjedhin rrugën e përplasjes me aleatë”, shtoi ai.
Takimit të kryeministrit Albin Kurti i është përgjigjur pozitivisht vetëm kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Kurti ka deklaruar se pret bashkëpunim me partitë e opozitës për çështjen e shpërndarjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje.