Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, është zotuar se do ta ndërtojë autostradën e Anamoravës që do ta afrojë Gjilanin me Prishtinën për 17 minuta. Në tubimin që e pati në Gjilan premtoi edhe investime të tjera milionëshe në shëndetësi e sport
Tubimi elektoral i Lidhjes Demokratike të Kosovës në sheshin e Gjilanit, të enjten, u cilësua masiv nga ish-kryetari i këtij qyteti e kandidati i kësaj partie për deputet, Lutfi Haziri. Haziri tek kritikoi qeverisjen lokale e qendrore të Vetëvendosjes, e siguroi kandidatin e LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, se rezultati zgjedhor i kaluar do të tjetërsohet rrënjësisht më 9 shkurt.
“Kryetar ia kemi rralluar njerëzit, kemi me i rralluar votat”, ka thënë Haziri.
Në mesin e kritikave për kryeministrin aktual, Haziri tha se ia pranon një gjysmë të vërtetë që e kishte thënë Albin Kurti kohë më parë për LDK-në.
“Për katër vjet vetëm një gjysmë të vërtetë e ka thënë ai që po e udhëheqë Qeverinë, gjysma e vërtetë e tij është se LDK-në e ka marrë lumi, dhe është e vërtetë që LDK-në e ka marrë Lumiri”, ka shtuar Haziri.
E Lumir Abdixhiku që synon ta drejtojë Qeverinë e Kosovës, premtoi mbështetje të madhe për Gjilanin, komunë që sipas tij, do të jetë prioritet i qeverisjes qendrore për investime. U shpreh se përgjatë këtij mandati qeverisës, Gjilani e Anamorava janë lënë në harresë.
“Më 9 shkurt vij me autostradën e Anamoravës plot 170 milionë euro për ju, për rrugën e madhe kombëtare, me dalje në Bresalc, Përlepnicë e deri te Dheu i bardhë, e bashkë te qytetarët tanë atje në Luginë. 2 minuta nga Dheu i bardhë në Gjilan, 17 minuta nga Gjilani deri në Prishtinë, ky është zotimi im”, ka premtuar ai.
Ka thënë se në Gjilan do të investohet edhe në shëndetësi. Mbi 10 milionë euro u premtuan se do të destinohen për spitalin e këtij qyteti.
“Gjilanit në shëndetësi do t’i investojmë mbi 10 milionë për spitalin tuaj për ta shndërruar në një qendër moderne të ekselencës, ky spital i juaji së bashku me spitalin e ri të Kosovës do të ngrehë nivelin e kujdesit shëndetësor për të gjithë rajonin tuaj të Anamoravës në nivele të paarritshme më parë”, ka thënë kandidati i LDK-së për kryeministër.
Në këtë qytet, Abdixhiku është zotuar se do të ndërtohet edhe stadiumi i futbollit në vlerë të 12 milionë eurove.
“Më 9 shkurt Lutë, gjilanas, vij edhe me stadiumin e Gjilanit, projektin e madh që ua kanë lënë si gërmadhë. Po, ky qytet sportiv, po, ky qytet kampion, po kjo anë e jona, do të ketë stadium modern dhe investim mbi 12 milionë euro nga qeveria qendrore”, ka thënë ai.
Derisa e kërkoi votën për Lidhjen Demokratike, Abdixhiku u shpreh se zgjedhjet e 9 shkurtit do të jenë përcaktuese për fatin dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës. Ai u shpreh i bindur se partia e tij do të dalë fituese në këto zgjedhje.
“E ardhmja jonë është e padefinuar dhe jo e ardhme i pret veprimet tona e pret sjelljen tonë. Kosova qëndron në udhëkryqin më të madh ekzistencial dhe në këtë udhëkryq, ju qytetarë të Gjilanit dhe të Kosovës duhet ta kuptoni peshën e zgjedhjeve tuaja që keni më 9 shkurt. Këto zgjedhje nuk bëhen vetëm për ta përcaktuar një kryeministër të ardhshëm por bëhen para së gjithash për ta përcaktuar vetë fatin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ka thënë po ashtu se procesi zgjedhor i së dielës do të jetë zgjidhje për shtetin e Kosovës.
“Këto zgjedhje nuk bëhen për të ndarë e përçarë, për të nxitur zi e terr, për të dhënë plot helm, plot vrer e plot urrejtje. Këto zgjedhje bëhen për të përcaktuar të ardhmen e vetë shtetit tonë, a e duam një shtet në të cilin jetojmë si njerëz normalë, me pritje normale, me ambicie të madhe e me projekte të mëdha apo një shtet ku britma, piskama e propaganda bëjnë këtë normalitet”, ka thënë ai.
Pretendenti për kryeministër theksoi se misioni i tij në qeverisje do të jetë anëtarësimi i Kosovës në BE dhe në NATO dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Si bartës të së djathtës, si bartës politikë të lëvizjes për liri, për demokraci e për pavarësi, ne, LDK-së, na takon ta bëjmë dhe rrugën e konsolidimit shtetar, rrugën e integrimit euroatlantik”, ka thënë ai.
Edhe në Gjilan, Abdixhiku ka përsëritur premtimet e tij që i ka dhënë në nivel nacional për rritje të pagave dhe të pensioneve.