Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar pushtetin për mashtrime gjatë dy vjetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në krye të Qeverisë.
Nëpërmjet një videoje të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku është paraqitur duke i përmendur premtimet e bëra nga Vetëvendosja para se të vendosej në pushtet, por se sipas tij, të gjitha këto premtime janë kthyer në mashtrime për shkak se nuk janë realizuar deri tani kur vendi ka hyrë në vitin e tretë të Qeverisjes Kurti 2.
“Teksa po hymë në vitin e tretë të Qeverisë është koha t’i numërojmë të gjitha mashtrimet e mëdha të pushtetit. Ato që i dhanë vetë e i thyen si rezultat i paaftësisë, arrogancës e ngarkesës me të shkuarën. Propagandën e pushtetit, produktin e vetëm që arrijnë ta krijojnë, duhet ta ballafaqojmë me të vërtetën. Atë që të rinjtë e të rejat e vendit, familjet tona, e përjetojnë në përditshmëri”, ka thënë ai fillimisht.
Sipas Abdixhikut, ndër premtimet e pambajtura të Vetëvendosjes është ndërtimi i 160 çerdheve në vend, i 4000 banesave për qiftet e reja me 120 euro këst mujor, përballueshmëria e kostos së jetesës për të varfrit e shtresën e mesme etj.
Sipas tij, veprimet e qeverisjes së Albin Kurtit e kanë bërë të kundërtën, kanë rritur tatimin në pronë në krizën më të madhe ekonomike në vend, e gjithashtu janë rritur edhe çmimet e produkteve bazike deri në 50 për qind.
“Premtuan ndërtimin e 160 çerdheve në Kosovë për të ngritur edukimin e fëmijëve tanë, por në prag të vitit të tretë nuk është ndërtuar asnjë. Premtuan ndërtimin e 4000 banesave për qiftet e reja me 120 euro këst mujor, por sot e dy vite pas, nuk kemi as gurthemel për to. Jo vetëm kaq, në krizën më të madhe ekonomike të vendit rritën tatimin në pronë. Premtuan përballueshmëri të kostos së jetesës për të varfrit, për shtresën e mesme, por përgjatë dy viteve të shkuara çmimet e produkteve bazike janë rritur për plot 50 për qind”, ka thënë ai.
Ai më tej ka përmendur edhe problemet me të cilat po has sektori i shëndetësisë, si dhe punimet në rrugët magjistrale të Kosovës, të cilat kanë mbetur të papërfunduara.
“Premtuan sigurime shëndetësore deri në vitin 2022 por sot spitalet tona i kemi pa penj, pa dorëza, pa infuzione e pa material higjienik. Premtuan përfundimin e rrugëve magjistrale në Kosovë, por rrugët për në Mitrovicë, Pejë, Podujevë, Gjilan e Gjakovë në dy vjet pushtet të plotë nuk kanë marrë asnjë ndryshim”, ka thënë ai.
Kryetari i LDK-së ka përmendur edhe reciprocitetin me Serbinë, duke thënë se jo vetëm që nuk ka, por ky vend është kthyer në partnerin kryesor tregtar në rajon.
“Vitin që shkoi nga Serbia janë importuar plot 371 milionë euro mallra në Kosovë. Ky është një rekord i ri historik. Premtuan energji të qëndrueshme e të lirë sepse, siç na thoshin Kosova fle mbi thëngjill, por shtrenjtuan pa ndjeshmëri faturat e energjisë për plot 100 për qind”, është shprehur ai.
Sipas Abdixhikut, kjo parti e cila ka akuzuar qeverisjet e kaluara për nepotizëm, ka mbushur institucionet e pavarura me militantë e familjarë.
“Premtuan çkapje të shtetit e trajtim të drejtë e të barabartë në punësim, por sot bordet e ndërmarrjeve publike, pozita udhëheqëse e institucionet e pavarura janë të mbushura me militantë e familjarë. RTK, BQK, AKP, e çdo ndërmarrje në vend është kapur siç ishin të kapura gjithherë. Premtuan punësim e të ardhme për të rinj, por sot Kosovën e lëshojnë nga 1000 qytetarë në javë. Zbrazja e Kosovës po ndodh. Si gjeneratë politike të njëjtëve që mbyllin valixhet e largimit nga këtu, duhet tu japin Evropën jo si destinacion ikjeje, por si standard jetese këtu. Ky s’është ndryshimi që Kosova meriton”, ka thënë ai.