Arbëri

Abbotti mirëpret emërimin e Gashit në krye të AKA-së: Shenjë pozitive që dërgon Qeveria për depolitizim

Foto: Driton Paçarada / Koha

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për emërimin e Naim Gashit në krye të Agjencisë Kosovare të Akreditimit.

“Mirëpres vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për emërimin e Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare të Akreditimit. Rekrutimi për këtë pozitë ishte mbështetur nga Projekti ynë i Rekrutimit në vitin 2018; por që atëherë, kishte mbetur i papërmbyllur me emërim”, shkruan Abbotti në facebook.

Naim Gashi emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Akreditimit

Abbott, thotë se “emërimi i sotëm është shenjë pozitive që dërgon Qeveria për depolitizim dhe respektim të parimit të meritokacisë në emërime të larta”.

“Kosova përparon vetëm me transparencë, meritokaci, qeverisje të mirë dhe llogaridhënje. Mbretëria e Bashkuar është e lumtur t’ju ndihmojë në këtë rrugëtim”, shkruan Abbotti.

Ndërkohë, Gashi në Facebook ka shkruar se “Një panel intervistues ndërkombëtar, i kontraktuar nga Ambasada Britanike, në bazë të marrëveshjes që kishin me Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, më 23 dhe 24 tetor 2018, më patën zgjedhur kandidatin më të suksesshëm për drejtor të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) – MASHTI”.

“Për 16 muaj, ky proces ishte i bllokuar. Jam i kënaqur që sot MASHTI dhe Qeveria kthyen ligjshmërinë në këtë proces. Me përvojën profesionale dhe përgatitjen akademike, shpresoj që do të japë kontribut për zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë. Në bashkëpunim të plotë me MASHTI-n, Qeverinë, partnerët ndërkombëtarë, Këshillin Shtetëror të Cilësisë, bartësit e arsimit të lartë, komunitetin akademik, studentët dhe organizatat e shoqërisë civile, do të angazhohem maksimalisht, ta kthejmë AKA-n dhe Kosovën në EQAR dhe ENQA, si dhe të kontribuojmë në zhvillimin e sistemit të arsimit të lartë në Kosovë, konform kërkesave të tregut të punës”, shkruan ai.