Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, do të jetë në vizitë në Kosovë të premten ku do të zhvillojë takime me liderë të institucioneve shtetërore.
Në takimin ndërmjet dy kryeministrave, Albin Kurti dhe Abazoviq do të nënshkruajnë marrëveshje bilaterale për korridorin e qiellit të hapur, me të cilin parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.
Kryeministri i Malit të Zi, gjithashtu do të takohet edhe me kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama, nga i cili do të pranojë Çelësin e Prishtinës.
Në ditën e parë të vizitës Abazoviq do të zhvillojë takime me drejtues të partive politike parlamentare. Ai do të takohet me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, dhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai do të takoj po ashtu dy ish-presidentët e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli.
Kurse, gjatë ditës së dytë të vizitës në Kosovë, Abazoviqi do të takojë zëvendëskryeministren e Kosovës, Emilija Rexhepi, grupin multietnik në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe ministrat nga komunitetet jo shumicë.
Takohet edhe me Gjeneralin e KFOR-in, Michelle Rastuccia, dhe do vizitojë galerinë Kombëtare të Kosovës i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Sportit dhe Rinisë, Hajrulla Çeku, dhe drejtoreshën e Galerisë Kombëtare, Alisa Gojani.
Takim do të zhvilloj edhe me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. Parasheh ta vizitoj po ashtu Rezidencën e Ibrahim Rugovës dhe homazh te varri i tij në Prishtinë, si dhe te varri i profesorit universitar dhe poetit nga Ulqini, Basri Çapriqit. Tutje planifikon të vizitoj objekte fetare e kulturore, përfshi Xhaminë e Çarshisë, Katedralen Nënë Tereza dhe Patriarkanën e Pejës.
Abazoviq ka në agjendë edhe takime të tjera.
Ndërkohë, edhe Policia ka njoftuar mbi ardhjen e tij. Policia ka thënë se do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.
Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen vizitat e që ndërlidhën me rrugë që shpien në drejtim të institucioneve shtetërore.
“Gjithashtu, ju njoftojmë se në disa segmente rrugore do të ketë ndërprerje të qarkullimit të automjeteve, do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”.