Arbëri

Abazoviqi në Kosovë, do të takojë liderë shtetërorë e politikë

Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, sot po qëndron për vizitë në Kosovë.

Ai gjatë ditës do të zhvillojë takime me liderë institucionalë e politikë.

Abazoviqi do të takohet me kryeminsitrin Albin Kurti, ku pritet të nënshkruajnë një marrëveshje bilaterale për korridorin e qiellit të hapur, me të cilin parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës. Takimi me Kurtin është paraparë të mbahet në orën 09:00.

Kryeministri i Malit të Zi, gjithashtu do të takohet edhe me kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama, nga i cili do të pranojë Çelësin e Prishtinës.

Në ditën e parë të vizitës Abazoviqi do të zhvillojë takime me drejtues të partive politike parlamentare. Ai do të takohet me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, dhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai do të takoj po ashtu dy ish-presidentët e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli.

Kurse, gjatë ditës së dytë të vizitës në Kosovë, Abazoviqi do të takojë zëvendëskryeministren e Kosovës, Emilija Rexhepi, grupin multietnik në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe ministrat nga komunitetet jo shumicë.

Takohet edhe me Gjeneralin e KFOR-in, Michelle Rastuccia, dhe do vizitojë galerinë Kombëtare të Kosovës i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Sportit dhe Rinisë, Hajrulla Çeku, dhe drejtoreshën e Galerisë Kombëtare, Alisa Gojani.

Takim do të zhvilloj edhe me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. Parasheh ta vizitoj po ashtu Rezidencën e Ibrahim Rugovës dhe homazh te varri i tij në Prishtinë, si dhe te varri i profesorit universitar dhe poetit nga Ulqini, Basri Çapriqit. Tutje planifikon të vizitoj objekte fetare e kulturore, përfshi Xhaminë e Çarshisë, Katedralen Nënë Tereza dhe Patriarkanën e Pejës.

Abazoviq ka në agjendë edhe takime të tjera.

Për shkak të vizitës së tij, Policia e Kosovës ka njoftuar se disa rrugë do të mbyllen në intervale të caktuara kohore, në mënyrë që eskortës së Abazoviqit t’i mundësohet qarkullim i lirë.