Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, e ka siguruar kryeministrin Albin Kurti se vendi që ai udhëhequr nuk do të ndërrojë qëndrimin ndaj Kosovës, pavarësisht zhvillimeve politike në Podgoricë.
Me zgjedhjen e Jakov Milatoviq si president i ri i Malit të Zi pati reagime në opinion se qasje e Podgoricës zyrtare ndaj Prishtinës mund të ndryshojë. Por, si Milatoviq, ashtu edhe Abazoviq, e kanë bërë të qartë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Në konferencë për media të premten në Prishtinë, Abazoviqi ka thënë se Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e Malit të Zi në arenën ndërkombëtare.
“Në Mal të Zi kanë ndodhur disa procese politike, por kjo nuk do të ndërrojë asnjë politikë ndaj Kosovës zyrtare. Mund të llogaritni në Malin e Zi për mbështetje ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare. Jemi të gatshëm ta përkrahim në mundësitë që i kemi”, ka thënë Abazoviq.
Abazoviq falënderoi për mikpritjen kryeministrin Kurti, ndërsa e lavdëroi për punën që ka bërë në sundimin e ligjit dhe ekonomi.
“Të dyja vendet të ardhmen e shohim në BE, në familjen e madhe evropiane. Në vitin e kaluar, në dy luftërat kryesore që duhen për t’u anëtarësuar në BE, në sundimin e ligjit dhe ekonomi, si Mali i Zi ashtu edhe Kosova kanë bërë punë të mirë. Duhet të vazhdohet në këtë drejtim”, ka thënë kryeministri në detyrë i Malit të Zi.
Abazoviq ka ftuar qytetarët e Kosovës t’i kalojnë pushimet e verës në Malin e Zi.
Tutje, Abazoviq ka thënë se Mali i Zi dhe Kosova po japin shembull se si duhet të jetë bashkëpunimi rajonal.
Ndërkohë, të dy kryeministrat bën të ditur se po punohet për t’i jetësuar dy projekte të rëndësishme në infrastrukturës, atë të rrugës Deçan – Plavë dhe Pejë – Rozhajë. Kjo, sipas tyre, do të lehtësonte shkëmbimin e mallrave e lëvizjen e qytetarëve.