Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Haki Abazi, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se i ka bërë presion Prokurorisë Speciale për t’i liruar nga akuza shefen e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe ministrin e kësaj qeverie, Nenad Rashiq.
Në debat në KTV të premten, ku ishte i pranishëm edhe kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Dimal Basha, Abazi ka thënë se rasti ka të bëjë me privatizimin e tri mikro-hidrocentraleve në prona publike.
“E kemi rastin e privatizimit të distribucionit për energji elektrike që ka qenë në Prokurori Speciale, ku kanë qenë të përfshirë dy bashkëpunëtorë të Kurtit, Mimoza Kusari-Lila dhe Nenad Rashiq. Të dy janë liruar nga aktakuza me thirrjen telefonike nga Lëvizja Vetëvendosje, me presion të tyre. Aktakuza nga prokurori Atdhe Gashi thotë se privatizimi i distribucionit për energji elektrike është bërë në momentin kur tenderuesi, një kompani turke që e ka sot në pronësi, e ka bërë ofertën. Brenda aty janë të përfshira tri mikro-hidrocentrale gjeneruese, të cilat janë privatizu dhe janë prona publike. Përfundimi është se janë liruar nga aktakuza të gjithë nënshkruesit ndërministror si të pafajshëm për dhënien e tre mikro-hidrocentraleve. Kjo punë është bërë me presion. Qeveria i ka bërë presion drejtësisë për ta heshtur këtë rast. Në aktakuzë, qartazi thuhet se këta kanë bërë shkelje sepse e kanë privatizuar kapacitetet gjeneruese. Dhe në fund dalin të pafajshëm, si është e mundur kjo punë?”, ka thënë Abazi.
Por me këtë nuk u pajtua kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Dimal Basha.
“Nëse ki fakte, pajtohem. Kur s’ka fakte, ato mbesin pretendime”, ka thënë Basha.
