Arbëri

AAK: Në Pejë po ndodh rrënimi dhe politizimi i administratës

Dega e AAK-së në Pejë ka kritikuar qeverisjen komunale të drejtuar nga kryetari Gazmend Muhaxheri, se është duke rrënuar dhe politizuar administratën komunale dhe se po u bën presion shërbyesve civilë, duke vendosur madje edhe kamera vëzhgimi në hapësirat e objektit.

“Duke qenë të vetëdijshëm se ditët po u numërohen mbrapshtë, qeverisja komunale në ikje e Pejës, në krye me Gazmend Muhaxherin, po e rrënojnë, ngarkojnë dhe politizojnë seriozisht edhe administratën komunale”, thuhet në reagim.

Dega e AAK-së në Pejë bën të ditur se çdo ditë pranon informacione mbi shantazhet dhe presionet që u bëhen shërbyesve civil komunal dhe në dikasteret vartëse nga ana e stafit politik, përfshirë këtu edhe vetë kryetarin Muhaxheri dhe siç thuhet, "kryetarin" tjetër Shkumbin Gashin, drejtorët e tyre komunal, por edhe ndërhyrjet që u vijnë nga njerëz brenda strukturave partiake të LDK-së në Pejë e që gjatë tërë orarit të punës së administratës sorollatën korridoreve të komunës.

Për më tepër, Dega e AAK-së në Pejë konsideron se këto veprime nga ana e kreut komunal që vjen nga radhët e LDK-së, po bëhen nga frika e humbjes dhe paranoja politike, si mjet shantazhi dhe kontrolli politik, dëshira për të ushtruar presion, shantazh dhe mos efikasitet.

Një tjetër çështje alarmante për Degën e AAK-së në Pejë është edhe çështja e mbi 90 të punësuarve me kontratë mbi vepër nga ana e kryetarit Gazmend Muhaxherit, gjë e cila ndodh, siç thuhet, mbi bazën e gënjeshtrës elektorale në këmbim të një grushti votash, ndërsa të 'punësuarit' bien viktimë e tij e besimit dhe nevojës së tyre për punësim.

Dega e AAK-së përkujton se kishte lënë një administratë të digjitalizuar duke e bërë Pejën komunën model për komunat tjera sa i përket efikasitetit qytetar, por pjesë të këtij sistemi sot janë jashtë funksionit teknik dhe kjo po ndodh edhe në këta muaj kur diaspora ka nevojë për shërbime të shpejta meritore.