Arbëri

AAK-ja ua vendos qeveritarëve shënimin: “Ku është ligji i pagave?”

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur të enjten me vendosjen e disa pankartave nga shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në foltore dhe në ulëset e kabinetit qeveritar. “Ku është ligji i pagave?” shkruhet në to.

“E di që ky është një aktivitet simbolik për të ngritur një çështje që e kemi ngritur gjatë, e cila lidhet me një premtim të kryeministrit Kurti e ministrit Sveçla të cilët në këtë foltore kanë thënë që deri më 31 mars do ta procedojnë Ligjin e Pagave në Kuvend. Prej këtu i kom thanë mos u ngut. Pyetja ime është sot ku është ligji i pagave?” ka thënë Tahiri në fillim të seancës.

Pasi ka nisur rendi i ditës, është miratuar në parim projektligjit për kompensimin e viktimave të krimit.


Musliu kritikon VV-në: Është mirë t’i reduktoni udhëtimet zyrtare

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për mospjesëmarrje në seancën e sotme të Kuvendit. Ajo ka bërë thirrje që t’i reduktojnë udhëtimet zyrtare.

“Është mire që si VV t’i reduktoni udhëtimet zyrtare dhe t’i ftoni deputetët ta mbajnë përgjegjësinë për çka ua kanë dhënë qytetarët besimin dhe t’i kaloni projektligjet”, ka thënë Musliu.

Projektligji për pronën publike u miratua me 65 vota pro. 

Me 68 vota pro u miratua Projektligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile.

Me 63 vota pro u miratua Projektligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale.

Me 64 pro kaloi edhe Projektligji për kompensimin e viktimave të krimit.


Dështon zgjedhja e anëtarëve të Komisionit për Ndihmë Shtetërore

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të zgjedhin dy anëtarë të Komisionit për Ndihmë Shtetërore, pasi asnjëri nga katër kandidatët nuk morri votat e mjaftueshme dhe u vendos për të përsëritur konkursin.

Megjithëse në votim morën pjesë 78 deputetë, prej tyre ishin 31 vota të pavlefshme. Ndërsa, kandidatja Fatlume Jaha mori 21 vota, Vlora Haziri 20 vota, Shkodran Manaj 18 vota dhe Ardian Hoti 17 vota.

Në bazë të kësaj, kryesuesi i komisionit vlerësues, deputeti i LVV-së, Gazmend Gjyshinca, tha se asnjëri nga kandidatët nuk ka fituar votat e mjaftueshme.