Pejë, 28 prill - Subjekti opozitar AAK, në seancën e Kuvendit Komunal, të premten ka kërkuar nga kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, që të publikojë të gjithë dokumentacionin që ndërlidhet me projektin e ndërtimit të qendrës turistike “Borea”.
Naim Sahiti, këshilltar nga ky subjekt, ia kujtoi Muhaxherit se në kuvend prejse ka nisur ky projekt është sjellë vetëm masterplani i projektit, që ishte miratuar nga kuvendi.
“Prej atëherë më nuk kemi pasur asnjë informatë se çka ka ndodhur me atë projekt. Për këtë arsye në emër të grupit të këshilltarëve të AAK-së në kuvend kërkoj që secilin dokument për këtë projekt me e sjellë në kuvend, që të jemi të informuar. Duke filluar nga data e shpalljes së konkursit, dokumentet e ofertave të kompanive, si është bërë përzgjedhja e kompanisë fituese, si dhe draft-kontratën me sjellë këtu që ne në kuvend ta shohim para se ajo të nënshkruhet”, iu drejtua Sahiti kreut të Komunës.
Po ashtu, ai kërkoi nga Muhaxheri edhe informatat për ndërrimin e pronave mes Komunës dhe Agjencisë Pyjore të Kosovës, për ndërtimin e kësaj qendre. Mirëpo Muhaxheri në përgjigjen e tij, duke pohuar se nuk ka pasur projekt më transparent se “Borea”, ka akuzuar AAK-në se nuk i kanë marrë parasysh e as nuk i kanë lexuar dokumentet që janë bërë.
“Në dokumentin e mastarplanit i keni pasur të gjitha. Por ju nuk keni dashtë me ardhë as në takimet e diskutimit që janë mbajtur për këtë projekt, në mesin e tyre kanë qenë tri diskutime me biznese në Kosovë. Ju nuk keni dashtë më ditë as për mundin tonë që kemi pas me Ministrinë e Bujqësisë për të zgjedhur çështjen se si me na i kalua ato prona në shfrytëzim të komunës. Por e vetmja mundësi ka qenë që ato prona të shkëmbehen me Ligjin për shkëmbimin e pronave dhe atë vendim për shkëmbim pastaj e ka sjellë Qeveria e Kosovës, që është një nivel më i lartë i vendimmarrjes”, u përgjigj Muhaxheri.