Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar reflektim nga Qeveria e Kosovës për gjendjen me veteranët e luftës.
Në konferencë për media, Tahiri ka thënë se medoemos nevojitet një zgjidhje për situatën në vend.
“Ne kërkojmë nga Qeveria që të mos prodhojë kriza, por të ofrojë zgjidhje. Vazhdimi i debatit përmbajtjesor me shoqatat e veteranëve është i rëndësishëm për të krijuar zgjidhje dhe për të zhbllokuar Kuvendin”, tha ai.
Tahiri ka thënë se AAK-ja është e gatshme të debatojë për dy amandamente që ka propozuar për zgjidhjen e kësaj situate. Njëri për zbritjen e çmimeve dhe tjetri për pensionin e veteranëve.
“3 muaj më parë kemi rekomanduar zgjidhjet për Ligjin për Paga për sektorin publik në raport me masat për zbritjen e çmimeve enorme të produkteve bazë, me heqjen e akcizës për pesë muaj”.
“AAK ka deponuar përmes Bekë Berishës një amandament që kërkon që deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranëve të UÇK-së pensioni i veteranit të jetë i barasvlershëm me pagën minimale. Ne po e sfidojmë nenin dhe po ofrojmë zgjidhje”, tha Tahiri.
Përndryshe, me moszgjidhje të gjendjes dhe pakënaqësinë e veteranëve, Tahiri shtoi se do të ketë bllokim të Kuvendit. Dhe zhbllokimi, shtoi ai, fillon me trajtimin e dy amandamenteve të propozuara nga AAK-ja.
“Nuk i duhet Kosovës krizë, i duhet zgjidhje, kjo qeveri shumë e ngadalshme që në secilën situatë ka propozuar krizë, duhet të kthehet dhe të merr vendime. Në mungesë të vendimmarrjes kemi status-quo”, përfundoi Tahiri.