Arbëri

AAK-ja e bindur se Nisma do ta votojë qeverinë e opozitës

Nisma Socialdemokrate është e përcaktuar për formimin e qeverisë nga opozita, ka thënë të hënën kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Nga Nisma pa dhënë hollësi, kanë thënë se nuk ka ndryshim të qëndrimit në lidhje me votimin e qeverisë Kurti. E ndonëse nuk i ka votat për formimin e qeverisë, Vetëvendosje ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me opozitën

Tre deputetët e Nismës Socialdemokrate nuk pritet t’u bashkohen deputetëve të pushtetit, në votimin eventual të Qeverise Kurti 3.

Anëtari i kryesisë së Nismës, Vesel Krasniqi, i ka vlerësuar spekulime mundësitë e ngritura për një gjë të tillë, derisa ka thënë se i qëndrojnë prapa qëndrimeve të kryetarit Fatmir Limaj “se do të bashkëpunojë me të gjithë në të mirë të vendit”. 

“Ne jemi në deklarimet e zotëri Limajt. S’kemi asnjë lëvizje për momentin. Këto (raportime v.j.) janë spekulime”, ka thënë ai për Kosovapress.

Edhe kandidatja e zgjedhur për deputete nga Nisma, Xhevahire Izmaku, ka mohuar se ka vendim të ri për votimin e Qeverisë Kurti. 

“Aktualisht, nuk ka ende asnjë vendim të ri. Nëse ka zhvillime të reja, do të informojmë publikun në mënyrë të duhur”, ka thënë Izmaku, në një përgjigje për KOHËN-n.

E partneri i koalicionit me Limajn, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur i bindur se Nisma do e përkrahë qeverinë e opozitës. 

“Ne jemi përcaktuar si Aleancë për koalicion të opozitës, qeveri të opozitës, nuk besoj se dikush nga opozita do të bashkëpunojë me pozitën. Po ashtu edhe NISMA është e përcaktuar për koalicion të opozitës”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se nuk beson që lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do ta formojë qeverinë. 

“Nuk mund të bëjnë, sepse nuk i kanë numrat, kanë dhjetë deputetë më pak sesa herën tjetër", ka thënë ai.

AAK-ja e Nisma garuan në zgjedhje në një listë të përbashkët. AAK-ja fitoi 5 deputetë e Nisma tre.
Ndërkohë, anëtarja e kryesisë së Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka hedhur poshtë çdo mundësi bashkëpunimi me grupet parlamentare opozitare. 

“Besoj se tashmë pas certifikimit të rezultateve vazhdon puna për themelimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, gjegjësisht edhe për Qeverinë Kurti 3. Ne do të kemi përpjekje të vazhdueshme për të takuar grupe parlamentare, përjashto këtu opozitën, pra me partnerët tanë të koalicionit te cilët edhe jemi, por edhe natyrisht me të tjerët të cilët do t'i kemi", ka thënë ajo.

Ndonëse ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka siguruar mjaftueshëm ulëse në Kuvend, sa të formojë e vetme qeverinë. 

Përveç 11 deputetëve nga radhët e komuniteteve joshumicë, VV-së i duhen së paku edhe 2 deputetë, që të sigurojë 61 vota, aq sa duhen për votim të suksesshëm të qeverisë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të dielën ka folur për herë të parë për formimin e Qeverisë, pas certifikimit të rezultateve. Ndonëse ka bërë të ditur synimin që përveç në të njëjtën ditë që konstituohet Kuvendit të votohet edhe për Qeverinë, Kurti nuk ka treguar se si do të arrihet një gjë e tillë, marrë parasysh që nga 61 votat e nevojshme për të formuar Qeverinë, ka 48 ulëse të siguruara.

“Tash pasi u certifikuan rezultatet, është një seancë ku jepen betimet. Synojnë një seancë ku zgjidhet edhe kryetari, kryesia e kuvendit edhe Qeveria qysh e kemi bërë herën e kaluar: për të njëjtën ditë”, ka thënë Kurti.

Rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit janë certifikuar javën e shkuar, më 27 mars. Pas certifikimit të rezultateve, ka filluar të rrjedhë afati prej 30 ditësh, sa ka në dispozicion presidentja Vjosa Osmani për të ftuar seancën konstituive të Kuvendit. Sipas Kushtetutës, nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, atëherë Kuvendi mund të mblidhet edhe pa ftesën e presidentit.

Kuvendit të konstituar, presidenti ka për detyrë që t’ia propozojë edhe kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme për të formuar Qeverinë. E kandidati për kryeministër, sipas interpretimit kushtetues, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Për t’u konsideruar e zgjedhur, Qeveria duhet të marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Në rast se një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë presidenti brenda 10 ditësh emëron kandidatin tjetër sipas procedurës së njëjtë. Në zgjedhje, vendi shkon nëse as herën e dytë nuk arrihet që të zgjidhet qeveria.