Arbëri

A është sonte shtyrja e fundit e orës?

Europianët sonte do t’i shtyjnë për një orë akrepat prapa dhe kjo shtyrje, ndoshta, do të jetë e fundit në jetën e tyre.

70 deputetë të Parlamentit Europian kanë kërkuar ndalimin e ndërrimit të kohës dy herë gjatë vitit duke u përpjekur ekskluzivisht vetëm për përdorimin e orës verore, transmeton Koha.net.

Dallimi ndërmjet kohës verore e dimërore ka vite që po kritikohet si shprehi e “rrezikshme dhe e padobishme” e cila kaherë e ka tejkaluar qëllimin e vet kryesor – kursimin e energjisë elektrike dhe të tjerave. Ky qëllim nuk është arritur kurrë, mendojnë kritikë dhe theksojnë se në shekullin 21, në netët e nxehta verore, shpenzohet më shumë rrymë me ventilatorë e kondicionerë.

Pos argumenteve ekonomike, kritikët kanë edhe ato shëndetësore.

“Hulumtimet shkencore kanë treguar se 20 për qind e popullatës vuan nga probleme shëndetësore për shkak të ndryshimit të orës”, thotë Pavel Svoboda, deputet çek i cili në Parlament udhëheq grupin joformal të tubuar rreth kësaj iniciative.

Sipas argumentve të tyre, në Europë të dielën ndodhin madje 30 për qind më shumë aksidente trafiku. Disa fëmijë aknë më pak efekt në shkollë e të punësuarit në punë, përcjell Koha.net . Në disa vende të BE-së, siç janë Gjermania, Belgjika, Franca, Finlanda, Suedia, Sllovakia, Çekia e Holanda, kanë filluar fushata e peticione që përpiqen ekskluzivisht për kohën verore e nuk do të ishte çudi që Parlamenti Europian rezolutën për këtë ta votojë në nëntor.

Interesante në gjithë këtë është se do të mbretëronte ora verore që “nuk është e natyrshme”, por e konstruktuar para pothuaj një shekulli. Arsyet për këtë janë në radhë të parë ekonomike marrë para sysh se njerëzit më shumë mbeten jashtë duke vizituar kafenetë dhe duke shpenzuar më shumë nëse mbrëmja vjen më vonë.

Llogaritjen verore të orës e ka shpikur para 110 vjetësh ndërtimtari William Wilet i cili vërejti se britanikët verës flenë edhe kur del dielli e natën ndezin kandila për të mbaruar punët. Në pamfletin e tij „Shpenzimi i dritës ditore“ ai pohonte se shtyrja e orës për 80 minuta prapa, kombit do t’ia përmirësonte shëndetin e fatin por edhe do të sillte kursimin e 2,5 milionë funteve. Ideja e Wiletit u përqesh e ai vdiq në vitin 1915, një vit para se Gjermania ta miratonte propozimin e tij. Një muaj më pas, shembullin e Gjermanisë e ndoqën Britania, Belgjika, Danimarka, Franca, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia , Portugalia,Suedia dhe Turqia.

Kosova për herë të parë e ka ndryshuar orën më 27 mars të vitit 1983, si ish pjesë e ish-Jugosllavisë, kur ora ka shkuar përpara dhe është kaluar në numërimin verore të kohës.