Ka nisur punimet konferenca shkencore “Ura 2022”, e organizuar nga Universiteti i Prizrenit. Gjatë dy ditëve të kësaj konference parashihet që 164 studiues nga rajoni e më gjerë të prezantojnë 98 punime shkencore në lëmenj të ndryshëm
Trendët e rinj në botën që po ndryshon është tema që po trajtohet nga studiuesit e vendeve të ndryshme në konferencën shkencore “Ura 2022”, të organizuar nga Universiteti i Prizrenit në partneritet me Universitetin e Evropës Juglindore, Universitetin e Pamukkalesë, Parkun e Inovacionit e Trajnimeve dhe “DokuFestin”.
Në hapjen e konferencës rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Samedin Krrabaj, tha se shkëmbimi i përvojave me pjesëmarrësit nga vendet e ndryshme të rajonit dhe më gjerë mundëson ngritjen e cilësisë dhe të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
“Përmes kësaj konference ne do ta arrijmë qëllimin që përveç ngritjes së cilësisë në shkencë, të ngremë edhe bashkëpunimin me shumë universitete dhe vende bashkëpunuese me të cilat kemi partneritet ose do të krijojmë partneritete të reja”, ka thënë Krrabaj.
Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Abdylmenaf Bexheti, ka vlerësuar se numri i madh i punimeve shkencore në këtë konferencë do të jetë i dobishëm për të gjithë pjesëmarrësit.
rreth 100 punime që do të prezantohen këtu dhe ky është një vëllim i madh. E pashë që edhe struktura është e shumëllojshme në fusha të ndryshme dhe kjo do të jetë produktive për të gjithë ne”, ka thënë Bexheti.
Ndërsa Linda Llulla-Gashi nga “DokuFest” ka shprehur qëndrimin se trendët botërorë çojnë kah teknologjia dhe rrjetëzimi dhe tha se kjo organizatë promovon edukimin përmes filmit dokumentar, ashtu që mësimdhënia tradicionale të kombinohet me teknologji të re.
“Besoj që kjo teknologji do të na afrojë, por edhe do t’ua mundësojë gjeneratave të reja ta kenë një arsimim më cilësor", ka thënë Llulla-Gashi.
Gjatë dy ditëve të konferencës shkencore parashihet që 164 studiues nga rajoni e më gjerë të prezantojnë 98 punime shkencore në lëmenj të ndryshëm.