Në bazë të shifrave të publikuara nga Instituti Shqiptar i Statistikave( INSTAT) shqiptarët e Kosovës zënë vetëm 11.95% të numrit të përgjithshëm të aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri sipas vendit të origjinës, ku për vitin 2020 kanë aplikuar vetëm 916 persona.
Kosova për vitin 2019 ka regjistruar 1104 aplikime për leje qëndrimi, ndërkohë që në 2020 janë vetëm 916 aplikime. Shqiptarët e Kosovës, kryesohen nga arsyet për bashkim familjar (41,7 %).
Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, janë krijuar lehtësira të procedurave dhe kushteve për marrjen e leje-qëndrimit të përkohshëm. Në bazë të kësaj marrëveshje, shtetasit e Shqipërisë dhe të Kosovës në momentin e lajmërimit të qëndrimit të përkohshëm mund të qëndrojnë në territorin e shtetit tjetër deri në 5 vite për arsye si ribashkim familjar, arsim parauniversitar apo arsim të lartë, kërkime shkencore, arsye humanitare, përfshirë refugjatët, personat në mbrojtje plotësuese dhe personat me statut të pashtetësisë, viktima të trafikimit me njerëz apo viktima të kontrabandës me emigrant dhe emigrant që kanë shprehur vullnet bashkëpunimi me autoritetet kompetente.