Arbëri

9 për qind e kosovarëve mbi 65 vjeç

Pensionet pensionistet

Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve në Kosovë është shënuar me një diskutim për gjendjen e tyre dhe mbi mundësitë për adresimin e nevojave që ata kanë. Sipas të dhënave të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, numri i të moshuarve në botë do të dyfishohet brenda 30 vjetësh. E, aktualisht numri i personave mbi 65 vjeç përbën 9 për qind të banorëve të Kosovës

Kimete Zeqa e Isa Podvorica ishin të ftuar nderi të premten në tryezën e organizuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Moshuar.

Zeqa, infermiere në pension, e Podvorica, saldator në pension, ndanë rrëfimet e tyre lidhur me të qenit i moshuar në Kosovë.

“Unë në fjalor nuk e kam plakë, në fjalor nuk e quaj vetëm plakë. Pse? Sot kur u nisa me ardhë thashë: O zot sa vjet i kam? Do të thotë 74 po i bëj, por nuk e quaj veten plakë”, ka thënë Zeqa. “Arsyeja pse nuk e quaj veten plakë: Unë për vete kam punuar 45 vjet në Shtëpinë e Shëndetit dhe prej 2002 kam menduar kur të pensionohem çfarë do të bëj. Prej atëherë kam filluar me aktivitete, por nuk e ndiej veten asnjëherë të moshuar”.

Edhe Podvorica foli në këtë frymë.

“Jeta ime, si ka kaluar në moshën time, ka qenë e mirë, edhe me familje, edhe me fshat dhe me popullatën shqiptare”, ka thënë ai. “Sa i përket lirisë sonë, e kemi lirinë, por jo, nuk e kemi definitive të plotë, e kemi pasur qejf me e bë si në të gjitha shtetet, të barabarta”.

Udhëheqësja e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë, Visare-Mujko-Nimani, tha se në 30 vjetët e ardhshëm numri i personave të moshuar në botë pritet të dyfishohet.

Ajo e ka vlerësuar lart kontributin e të moshuarve, me theks të veçantë të grave.

“Kontributet që kanë dhënë dhe po japin gratë e moshuara në jetën politike, civile, ekonomike, sociale dhe kulturore mbesin kryesisht të padukshme dhe të pavlerësuara. Ky grup shoqëror priret që të jetë subjekt i diskriminimit të shtuar, që rezulton nga kryqëzimi i diskriminimit në baza moshe dhe gjinore”, ka thënë Mujko-Nimani.

Deputetja Fatmire Kollçaku, që është kryetare e Komisionit parlamentar për Shëndetësi dhe ishte e pranishme në këtë konferencë, ka thënë se duhet të bëhet më shumë për të moshuarit.

“Edhe si shtet jemi të njohur që kryesisht kemi popullatë të re, por fatmirësisht me jetëgjatësinë e njerëzve shtohet edhe numri i personave të moshuar, gjë që nënkupton se edhe obligimet e shoqërisë duhet të rriten karshi moshës së tretë, sepse pleqëria po vike shumë shpejt”, ka thënë ajo.

Sipas të dhënave të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, aktualisht numri i personave mbi 65 vjeç përbën 9 për qind të banorëve të Kosovës.