Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 7 vjet burgim të akuzuarin për krime lufte, Dragisha Milenkoviq. Trupi gjykues i kryesuar nga Kujtim Krasniqi, konstatoi se Milenkoviq është fajtor edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje për çka u dënua me 1500 euro gjobë. Si dënim unik për të dy veprat penale gjykata i shqiptoi atij 7 vjet burgim dhe 1500 euro gjobë.
Më 26 dhjetor 2023, Prokuroria Speciale e pati ngritur aktakuzën kundër Milenkoviqit për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile si dhe për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.
Në aktakuzën e ngritur nga prokurori special Atdhe Dema, thuhet se Milenkoviq, ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe atij të Lipjanit, Lubomir Çimburoviq, drejtor i Burgut të Prishtinës, si dhe zyrtarët korrektues, Predrag Bradiq e Milivoje Iviq, kanë keqtrajtuar të burgosur shqiptarë nga 24 maji deri më 10 qershor 1999.
I pandehuri akuzohej se në cilësinë e ish-gardianit të Burgut të Prishtinës dhe të Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë të burgjeve, në mënyrë sistematike kanë keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, duke i rrahur me shqelma e grushte, deri në alivanosje dhe, si rezultat i kësaj, duke iu shkaktuar lëndime trupore dhe dhunë psikike.
Sipas pikës së dytë të aktakuzës, Milenkoviqi akuzohej se gjatë periudhës prej 24 maj të vitit 1999 deri në datën 10 qershor të vitit 1999, në burgun e Lipjanit, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë, pasi i kanë transferuar të burgosurit shqiptarë nga burgu i Dubravës në burgun e Lipjanit, fillimisht duke formuar një kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët, ku të burgosurit ishin detyruar të kalonin përmes atij kordoni, i kanë rrahur të burgosurit me mjete të forta, me shkop gome, me grushte, me shqelma dhe, pas kësaj, në mënyrë sistematike janë keqtrajtuar duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore.