Arbëri

67-vjeçari dhuroi gjak për herë të 132-të

Nga disa herë në vit, Idriz Pllana dhuron doza gjaku, me qëllimin për të shpëtuar jetë. Është 67-vjeçar dhe për herë të 132-të ka dhuruar gjak të martën, kur është shënuar Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut. Ai nuk ishte i vetëm. Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe shumë qytetarë, bashkë me pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë

Idriz Pllana është pensionist. Dyfish më shumë sesa ka vjet, ai ka dhuruar gjak.

Të martën, kur është shënuar Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut, ai i është bashkuar fushatës për të shpëtuar jetë. Dhe, ka dhënë dozën e radhës të gjakut.

“Është e 131-ta ose e 132-ta herë që dhuroj gjak. Mburrem që më ka dhuruar Zoti këtë dhunti”, thotë 67-vjeçari, pasi nga damarët e tij punonjës shëndetësorë e nxorën dozën e radhës së gjakut, e cila do të deponohet në Qendrën e Transfuzionit për të shërbyer për pacientët që kanë nevojë. “Të dhurosh gjak, të shpëtosh jetë është kombëtare, njerëzore e fetare”.

Ai, por edhe shumë qytetarë i janë bashkuar fushatës për të dhuruar gjak.

E, në këtë ditë, në mënyrë të organizuar edhe zyrtarë policorë kanë dhënë doza gjaku, me qëllim të shpëtimit të jetëve, por edhe për sensibilizim e nxitje të qytetarëve për ta bërë të njëjtën.

Amir Gërguri, komandant i Njësisë Speciale Operative në Polici, ka thënë se njësia të cilën e drejton është shembull i dhurimit të gjakut në tërë Kosovën.

“Pjesëtarët e Policisë, në mënyrë specifike pjesëtarët e Njësisë Speciale Operative u përgjigjen në vazhdimësi thirrjeve të Qendrës së Transfuzionit të Gjakut për dhurimin e gjakut. Në këtë ditë të shënuar më 14 qershor, këtu në shesh e bëjmë me kënaqësi të veçantë, me qëllim që të krijojmë model të mirë edhe për qytetarët. Të gjithë ata që kanë shëndet të plotë, të vijnë dhe të japin diçka nga trupi i vet, të japin gjak për ata që kanë nevojë”, ka thënë Gërguri.

Ai ka thënë se e sheh të arsyeshëm dhe të domosdoshëm dhurimin e gjakut me qëllim që të furnizohet Qendra e Transfuzionit, e me këtë të krijohen rezerva të mjaftueshme për personat që kanë nevojë.

Lindita Kajtazi, specialiste e shërbimit shëndetësor në Policinë e Kosovës, ka treguar për vullnetin e madh që kanë zyrtarët policorë për të dhuruar gjak. Ajo ka thënë se pjesëmarrja masive tregon anën humanitare të tyre dhe është mesazh për të shpëtuar jetë.

“Shërbimi shëndetësor në kuadër të Policisë së Kosovës ka pasur në vazhdimësi bashkëpunim të sinqertë dhe të përzemërt me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, por çdo herë duke i falënderuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës që iu kanë përgjigjur ndër vite nga një herë apo nga dy herë në vit ftesës për të dhuruar në mënyrë vullnetare gjak. Sot numri i pjesëtarëve të Njësisë Speciale ka arritur deri në 60”, ka thënë Kajtazi. “Kjo nënkupton që është një gatishmëri dhe është një dëshirë e madhe për të dhuruar në mënyrë vullnetare gjak”.

Në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut kanë thënë të jenë krijuar rezerva të gjakut dhe të përbërësve të tij për rastet emergjente. Por, kanë theksuar se nevojat për rezerva janë të gjithhershme.

“Nëse ka kërkesa shtesë, atëherë bëjmë organizime shtesë, dhurime të gjakut shtesë, qoftë përmes dhurimit vullnetar të gjakut ose nëpërmjet sesioneve. Kur mungon ndonjë grup i rrallë i gjakut janë afër gjithmonë aty edhe familjarët të cilët i mbulojnë tërësisht këto kërkesa, e deri tani gjithmonë kemi arritur që t’i mbulojmë të gjitha kërkesat që janë parashtruar për dhurim të gjakut”, ka thënë Bukurie Zhupi, drejtoreshë e Qendrës.

Ajo ka falënderuar zyrtarët e Policisë që kanë dhuruar gjak dhe ka thënë se qytetarët duhet të jenë më të vetëdijesuar në këtë drejtim dhe ta bëjnë të njëjtën edhe ata, me qëllimin për të shpëtuar jetë.

Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut shënohet çdo vit më 14 qershor. Në këtë datë organizohen fushata që kanë për qëllim ngritjen e vetëdijes në mbarë botën për nevojën për gjak e për produkte të gjakut për transfuzion.

Por 67-vjeçari Idriz Pllana, edhe pa dëgjuar thirrje publike, disa herë në vit dhuron gjak. Ai ndihet i lumtur që mosha nuk po i bëhet pengesë në këtë aktivitet.

“Unë sot për momentin jam aq i lumtur që më është mundësuar të dhuroj gjak, se jam edhe pensionist dhe po e ndiej veten të shëndoshë”, thotë ai. “Një kënaqësi e madhe”.