Në Kosovë ka rreth 64 mijë biznese, por në Ministrinë e Punës janë të regjistruara vetëm 17 shoqata sindikale. Në Sindikata thonë se ngurrimi i punëtorëve të sektorit privat për t’u përfshirë në organizim sindikal e ka burimin tek vështirësia për ta gjetur një vend pune dhe frika nga punëdhënësit.
Në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve janë të regjistruara 17 shoqata sindikale të sektorit privat.
Është vetëm ky numër, ndonëse në Kosovë ka rreth 64 mijë biznese aktive. Ligji në fuqi ia garanton të drejtën çdo të punësuari që të anëtarësohet në një nga sindikatat.
Dafina Mehaj, zyrtare për marrëdhënie ndërkombëtare në Bashkimin e Pavarur të Sindikatave të Kosovës, thotë se vështirësia për ta gjetur një vend pune krijon ngurrim te punëtorët që të përfshihen në organizime sindikale.
“E dimë sa është vështirë ta kesh një vend pune, do të thotë punëtorët iu frikësohen punëdhënësve të ndryshëm, i frikësohen humbjes së vendeve të punës, iu frikësohen mosmarrëveshjeve që mund të kenë me punëdhënëset”, ka thënë ajo.
E Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat, thotë se organizimi sindikal është duke u rritur me kalimin e viteve.
“Kemi shumë pronarë të kompanive që në njëfarë forme shpeshherë kemi pasur edhe telashe që të hyjmë brenda kompanisë, por pikërisht po këta pronarë tani janë të gatshëm për bashkëpunim, pasi e dinë fuqinë e Sindikatës dhe të punëtorëve”, ka thënë Azemi.
Deri tash fare pak presion sindikal është parë në sektorin privat. Por, Jusuf Azemi paralajmëron se protesta e 1 Majit mund të organizohet bashkërisht nga të gjitha sindikatat.
“Sot sindikatave simotra në Kosovë ua kam bërë një kërkesë që protestën e 1 Majit ta bëjmë bashkërisht, në të kundërtën ne si sindikatë e sektorit privat jemi të obliguar që më 1 maj t’ua përkujtojmë qeverisë dhe organeve të tjera që ne jemi keq”, është shprehur ai.
Një nga elementet kryesore kur flitet për të drejtat e sektorit privat janë edhe pagat.
Aktualisht në vend paga minimale është 170 euro, por Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti ka nisur procedurat për ta rritur atë në 264 euro.
E Këshilli Ekonomiko-Social këmbëngul që paga minimale të mos jetë nën 400 euro.