Arbëri

45 qendra të votimit do të hapen në veri, në gjithë Kosovën rreth 940 sosh

Krahas shkollave, edhe objekte komunale e shtëpi shëndeti do të jenë në dispozicion të votuesve ne veri, më 9 shkurt kur do të organizohen zgjedhjet parlamentare. Lista me qendrat e votimit është miratuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe në të figurojnë edhe objektet shkollore, që menaxhohen nga drejtorë të shkollave që operojnë me plan-programe të Serbisë.

45 qendra të votimit do të hapen më 9 shkurt për zgjedhjet e përgjithshme në katër komunat në veriun e banuar kryesisht me serbë.

Këto qendra janë në mesin e rreth 940 sosh sa do të hapen në gjithë Kosovën, lista e të cilave është miratuar të premten nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Prej qendrave në veri, KOHA ka mësuar se 18 do të jenë në Leposaviq, 13 në Zubin Potok, e nga 7 në Mitrovicë të Veriut e Zveçan.

Kësisoj, shkollat e veriut që menaxhohen nga drejtorë të zgjedhur prej sistemit paralel të Serbisë, do të jenë në dispozicion të institucioneve të Kosovës. 

Për dallim nga dy proceset e kaluara zgjedhore, zgjedhjet e 9 shkurtit do të mbahen edhe në objekte të tjera publike si ato komunale, të bashkive lokale, e edhe në shtëpi të shëndetit.

Në mbledhjen e KQZ-së, anëtari Arianit Elshani tregoi vështirësitë të cilat janë hasur gjatë përpilimit të listës së qendrave të votimit.

“Jemi përballë me një sfidë të mbylljes së disa qendrave të votimit për shkak të kushteve të cilat gjenden disa shkolla në disa fshatra. Veçanërisht me informatat që kemi marrë sot bëhet fjalë për një shkollë në Kaçanik, një shkollë në Mitrovicë dhe një tjetër në Leposaviq. Përveç këtyre tre qendrave të votimit ne gjatë gjithë kohës kemi hasur në një proces të mbylljes apo zhvendosjes të qendrave të votimit”, ka thënë Elshani i PDK-së.

Elshani ka deklaruar se për herë të parë në listë janë përfshirë edhe qendra të reja, derisa tregoi edhe për dallimin që do të jetë këtë vit sa i përket qendrave të votimit me kusht.

“…për shkaqe operacionale kemi mbyllur këto votime me kusht dhe kemi mundësuar që kjo të mundësohet vetëm në një qendër të votimit me kusht”, ka thënë ai.

Në mbledhje është bërë e ditur se deri më 7 nëntor janë pranuar gjithsej 13 mijë e 33 kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë vendit. Mërgata mund ta bëjë aplikimin për votim deri më 26 dhjetor.

Mes tjerash, Komisioni Qendror miratoi edhe regjistrimin e një partie të re politike, Bashkimi Demokratik.

Për zgjedhjet e fundit lokale, por edhe votimin për shkarkimin e katër kryetarëve jo serbë nga komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, me urdhër të Listës Serbe, drejtorët nuk i kishin hapur shkollat. Për pasojë, të dy proceset e kaluara të votimit janë zhvilluar nëpër kontejnerë gjithandej veriut.