(E përditësuar 13:59) - Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka takuar të enjten liderët e Ballkanit Perëndimor.
Ajo ka ndarë një video nga pritja që i ka bërë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, atij të Shqipërisë, Edi Rama, Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mockoski, të Malit të Zi, Milojke Spajiq, kryetares së Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Sot i prita liderët e gjashtë partnerëve nga Ballkani Perëndimor. Që të gjitha gjashtë vendet e kanë vendin në Evropë. Pikërisht për këtë jemi duke punuar. Njëkohësisht, ne jemi duke i sjell ekonomitë dhe tregjet e tyre më afër tonave me Planin tonë të Rritjes prej 6 miliardë eurosh për rajonin", ka shkruar ajo në platformën X.
Ndërkaq, ka shtuar tutje se po punojnë për t’i afruar ekonomitë dhe tregjet e shteteve të Ballkanit Perëndimor me të Bashkimit Evropian përmes Planit të Rritjes prej 6 miliardë eurosh.
Today I received the leaders of the six Western Balkan partners.
— Ursula von der Leyen (@vonderleyen) September 19, 2024
All six countries belong in Europe.
This is what we are working on.
In parallel, we are bringing their economies and markets closer to ours with our €6 billion Growth Plan for the region. pic.twitter.com/FDk7fPeXLc
Kurti udhëton në Bruksel për takimin e Von der Leyenit
(E përditësuar 09:50) - Kryeministri Albin Kurti të enjten ka udhëtuar drejt Brukselit për të marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar zyra e Kryeministrisë.
Von der Leyen ka ftuar liderët e Ballkanit Perëndimorë për të diskutuar rreth agjendës së reformave që gjashtëshja ballkanike i ka dorëzuar Brukselit.
Sot dreka e punës e Von der Leyenit me liderët e Ballkanit Perëndimor
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, sot do të mbajë drekë pune me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero, ka konfirmuar se ftesa i ka shkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mockoski, kryeministrit të Malit të Zi, Milojke Spajiq, kryetares së Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Megjithatë, Pisoneri nuk ka treguar nëse të gjithë liderët do të jenë të pranishëm.
Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se Kurti do të marrë pjesë në këtë takim, ndërkohë që nga Qeveria nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me këtë.
Von der Leyen ka ftuar liderët ballkanikë për të konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në kuadër të afrimit të rajonit me bllokun.
Fokusi është në agjendat e reformave që gjashtëshja ballkanike i ka dorëzuar Brukselit.
Agjenda e reformës evropiane është dokument që të gjashtë kandidatët për anëtarësim në BE nga Ballkani Perëndimor duhej ta dorëzonin në Komisionin e BE-së për t’i marrë paratë nga paketa financiare për rajonin me vlerë gjashtë miliardë euro.
Në qershor të këtij viti, Von der Leyeni ka fituar mandatin e dytë pesëvjeçar në krye të Komisionit Evropian.