Shërbimi i detyrueshëm ushtarak është rikthyer në temë diskutimi në vendet e Ballkanit Perëndimor, shkaku i përkeqësimit të sigurisë në rajon. Ani se kryeministri Albin Kurti e pati premtuar si pjesë të platformës për forcim të mbrojtjes kombëtare, shërbimi i detyrueshëm ushtarak nuk u përfshi në Programin Kombëtar për Mbrojtje Gjithëpërfshirëse. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, thotë se kjo ka ndodhur bazuar në analizën e sigurisë brenda e jashtë shtetit
Shërbimi i detyrueshëm ushtarak nuk është përfshirë në Programin Kombëtar për Mbrojtje Gjithëpërfshirëse, ani se ka qenë zotim i kryeministrit Albin Kurti, para ardhjes në pushtet.
Programi, që e synon mbrojtjen e shtetit nga kërcënimet, sulmet e fatkeqësitë natyrore, e mori miratimin e Qeverisë të mërkurën.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, thotë se vendimi për mospërfshirjen e këtij shërbimi në Program është bazuar në analizën e rrethanave të sigurisë brenda e jashtë vendit, përfshirë sulmin në Banjskë dhe luftën në Ukrainë.
“Të gjitha këto elemente na kanë dërguar në një analizë më të thellë për nevojën e vendit tonë për mbrojtje dhe duke i pasur parasysh edhe mundësitë të mos implikohen elementët e tjerë ligjorë dhe vështirësi të tjera që mund të shkaktohen përmes aplikimit të shërbimit të detyrueshëm në këtë periudhë, atëherë është parë si mundësi shumë e mirë që mbrojtja gjithëpërfshirëse ta arrijë synimin që e ka pasur shërbimi i detyrueshëm e që është krijimi i një sistemi efikas dhe efektiv të mbrojtjes së vendit”, i ka thënë KOHËS ministri Maqedonci.
E ish-komandanti i përgjithshëm i Forcës së Sigurisë, gjenerali Kadri Kastrati, e sheh të pamundur jetësimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak edhe për disa vjet, shkaku i mungesës së infrastrukturës e ligjeve.
“Në rend të parë ne nuk kemi ligj që e rregullon një çështje të tillë. Kosova nuk ka infrastrukturë të mjaftueshme apo Ushtria e Kosovës nuk ka infrastrukturë të mjaftueshme për akomodim, për trajnim të të gjithë atyre të rinjve dhe të rejave që kur t’i mbushin 18 vjeç duhet të thirren dhe ta kryejnë detyrimin ushtarak”, ka thënë Kastrati.
Ai ka insistuar se Kosova duhet të përqendrohet në forcimin e kapaciteteve ushtarake ekzistuese.
“Ende nuk e kemi arritur atë që kërkohet sipas ligjit që është në fuqi, që forcat e armatosura të Kosovës të kenë jo më pak se 5 mijë ushtarë dhe 3 mijë rezervë. Pjesa rezervë nuk ka filluar ende rekrutimin dhe të gjitha këto kërkojnë kohë dhe para. Për atë arsye unë kisha rekomanduar fuqishëm që le të merren një herë me ngritjen e kapaciteteve ushtarake që duhet t’i ketë Kosova bazuar në ligjet që janë në fuqi”, ka thënë Kastrati.
E eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, e sheh të nevojshëm shërbimin e detyrueshëm ushtarak karshi kërcënimeve që i kanosen Kosovës nga Serbia.
“Me siguri kjo mbetet ndoshta në të ardhmen të diskutohet, eventualisht të vlerësohen mundësitë për t’u futur, ngase ka nevojë për shkak që, sikur thashë edhe më parë, për rreziqet dhe kërcënimet, por edhe për vendin tonë, pasi që kemi në vazhdimësi provokime, tendenca për sulme edhe nga jashtë (edhe pse nuk janë të vërteta), por edhe për mundësitë e një lufte hibride që Serbia po bën ndaj Kosovës”, ka thënë Ibishi.
Që nga nisja e luftës së Rusisë në Ukrainë më 2022, disa vende të Ballkanit Perëndimor e rikthyen apo po e shqyrtojnë kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Kosova e ka identifikuar Serbinë si shtetin nga i cili mund të vijë kërcënimi më serioz. E të shtunën, aprovimin për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak e ka dhënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai këtë vendim e bëri të ditur gjatë ceremonisë së gradimit të oficerëve të rinj të Forcave të Armatosura të Serbisë, tek tha se synimi nuk është që të sulmohet dikush, porse të pengohet kushdo që e kërcënon vendin e tij. Vendimi për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak tani pritet të aprovohet edhe nga Qeveria e Serbisë. Sipas planit serb, ky shërbim do të jetë i detyrueshëm për burrat me afat prej 60 plus 15 ditësh. E për gratë, shërbimi ushtarak do të jetë në bazë vullnetare.