(E përditësuar 17:14) - Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë rihapur për qarkullim të plotë pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Merdar e Bërnjak.
Siç ka shkruar në Facebook, ministri i Brendshëm, në anën e Serbisë janë larguar bllokadat e krijuara një ditë më parë.
“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak. Rend dhe ligj, paqe e siguri, cep më cep e në çdo kufi të Republikës tonë”, ka shkruar ai.
Për dallim nga këto dy pikëkalimet kufitare, ajo në Jarinjë ka qenë e hapur që nga mëngjesi i së shtunës, siç ka njoftuar Policia.
Në Jarinjë lirohet qarkullimi, Merdari dhe Bërnjaku mbesin të bllokuar
(E përditësuar 09:40) - Në pikëkalimin në Jarinjë mëngjesin e së shtunës po zhvillohet pa ndonjë problem qarkullimi i veturave, përfshirë ato me targa të Kosovës, ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani. Pikëkalimet në Merdar dhe Bërnjak janë ende të bllokuara nga ana e Serbisë.
Bllokimi i pikëkalimeve nisi dje (e premte) në mbrëmje. Në Jarinjë, u bllokuan vetëm personat me dokumente të Kosovës.
“Në mëngjesin e sotëm në pikën kufitare në Jarinjë, është duke u zhvilluar pa problem qarkullimi i automjeteve në të dyja anët e kufirit edhe të automjeteve me targa serbe dhe atyre me targa të Kosovës”, ka thënë Elshani.
Bllokada ishte paralajmëruar nga “Këshilli për Bllokada i Serbisë” pasi Policia e Kosovës mbylli 5 zyra të strukturave paralele në veri me dyshimet për falsifikim me dokumente.
Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar reagim nga ndërkombëtarët për bllokadat. Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të marrin masa ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Ai duhet të ndalet para se të hyjë në luftë”, ka shkruar Gërvalla në Twitter mbrëmjen e së premtes.
Pamje nga kthimi i veturave në pikëkalimin në Merdar gjatë së shtunës
Vazhdojnë të jenë të mbyllura pikëkalimet në Merdar, Jarinje e Bërnjak
(08:07) - Pikëkalimet në Merdar, Jarinjë e Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura nga ana e Serbisë edhe të shtunën, sipas faqes së Ministrisë së Brendshme të Kosovës.
Pikëkalimet në Merdar dhe Bërnjak janë të mbyllura plotësisht, ndërsa ai në Jarinje është i mbyllur vetëm për ata me dokumente të Kosovës.
Bllokimi i pikëkalimeve nisi dje (e premte) në mbrëmje. Autoritetet e Kosovës i kanë bërë thirrje ndërkombëtarëve të reagojnë. Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të marrin masa ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Ai duhet të ndalet para se të hyjë në luftë”, ka shkruar Gërvalla në Twitter mbrëmjen e së premtes.
Bllokada ishte paralajmëruar nga “Këshilli për Bllokada i Serbisë” pasi Policia e Kosovës mbylli 5 zyra të strukturave paralele në veri me dyshimet për falsifikim me dokumente.
Në aksionin e 30 gushtit u mbyllën zyrat e katër komunave paralele: Mitrovicë, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan, si dhe Zyra e Qarkut të Mitrovicës.
Të mërkurën e të enjten Policia ka intervistuar udhëheqësit e këtyre zyrave me dyshimet për falsifikim me dokumente.
Bashkësia ndërkombëtare ka kritikuar Qeverinë për këtë dhe për aksionet e tjera në veri, duke e ftuar të përmbahet “nga veprimet që mund të nxisin tensione”.
Pas paralajmërimit për bllokadë, institucionet e Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta evitojnë kalimin nga Serbia. Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar nga qytetarët të shmangin kalimin transit nëpër pikëkalimet kufitare me Serbinë. E Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit ka bërë thirrje të enjten që kufiri të mos kalohet as në pikëkalimin e vetëm me Malin e Zi, Kullë.